Vdekja e 29-vjeçarit Enea Thomaraj ka tronditur opinionin publik, pasi ai humbi jetën aksidentalisht në banesën e tij nga një shpërthim tritoli që ishte vendosur për fqinjët e tij, Xhovana dhe Alda Nikolli.
Pas kësaj ngjarjeje, Xhovana ka reaguar duke shprehur ngushëllimet e saj për familjen e viktimës.
Megjithatë, komentuesit në rrjetet sociale kanë drejtuar kritika ndaj saj, duke e fajësuar për humbjen e jetës së Eneas.
Në reagimin e saj të fundit në rrjetet sociale, Xhovana ka treguar se ka marrë shumë mallkime, por thekson se edhe ajo ishte një viktimë e asaj ngjarjeje dhe mund të kishte humbur jetën nëse do të kishte qenë në kuzhinë në atë moment.
Sipas saj, përgjegjësia për këtë ngjarje bie mbi shtetin, që, siç thotë ajo, lejon kriminelët të vazhdojnë veprimtaritë e tyre nga burgu.
Nikolli i referohet Nuredin Dumanit, për të cilin ajo dhe motra e saj kanë deklaruar se është porositësi i vendosjes së tritolit.
“Unë dhe familja ime jemi gjithashtu viktima në këtë mes. Nuk mora jetën e askujt dhe nuk jam fajtore as unë, as motra ime. Nëse do isha në kuzhinë kur ndodhi shpërthimi, nuk do isha gjallë sot. Faji është i shtetit që lejon kriminelët të bëjnë ligjin nga burgu,” shkruan ajo.