PRISHTINE, 3 mars 2013 – Xhudistja kosovare Nora Gjakova ka fituar medaljen e argjendtë në turneun "European Open" që po mbahet në Pragë të Çekisë. Gjakova të shtunën doli e dyta në kategorinë deri 57 kilogramë, pasi u mposht në finale nga francezja Cindy Huber.

"Rezultati është më i mirë se që kam pritur. Konkurrenca ishte shumë e fortë. Për shembull në kategorinë deri 57 kg është paraqitur edhe nënkampionia në fuqi olimpike. Ka pasur shumë befasi. Njëra prej tyre ishte edhe humbja e Norës në finale. Nora Gjakova kishte mposhtur katër herë francezen Huber deri më tani, ndërsa në finale ishte duke udhëhequr deri në 30 sekondat e fundit. Por më pas i ra koncentrimi dhe kështu humbi luftën dhe medaljen e artë",- ka thënë trajneri i xhudisteve kosovare, Driton Kuka.

Në turneun e Pragës, Kosova u përfaqësua edhe nga dy xhudiste të tjera Distria e Leutrime Krasniqi. Ato shënuan nga një fitore e një humbje.

Xhudistja Nora Gjakova me këtë sukses ka fituar 60 pikë në renditjen botërore dhe pritet të përparojë me disa vende. Aktualisht ajo mban vendin e 34-ërt.

Xhudistet kosovare u paraqitën në këtë turne me flamur të IJF-së, pasi Kosova nuk është pranuar me të drejta të plota në Federatën Evropiane të Xhudos.    

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/