19 gusht 2013- Pas ngjarjes në Kishën e Përmetit dhe reagimit të Ministrisë së Jashtme greke për këtë çështje, historiani Pëllumb Xhufi ka bërë një analizë lidhur me atë që ai e quan “ndërhyrje të brendshme”. Xhufi shprehet për “Vizion Plus” se reagimi i palës greke për çështje që ndodhin në territorin shqiptar është një veprim i përsëritur dhe pjesë e një strategjie për të krijuar incidente mes dy shteteve tona. Duke mbështetur veprimin e përmbarimit për t’ia rikthyer Pallatin e Kulturës Bashkisë së Përmetit, Xhufi thotë se qëndrimi i shtetit fqinj ngjan me politikat e ndjekura nga grekët në fund të shekullit të 19, “ndërkohë që sot është një realitet tjetër dhe Shqipëria ka kishën e saj autoqefale, e cila nuk pranon ndërhyrje nga asnjë vend apo asnjë shtet”.Sipas Xhufit, ndërhyrjet e Greqisë në çështje si Kisha e Përmetit, inkurajohen nga mungesa e reagimit të shtetit shqiptar. Në deklaratën e saj të para dy ditëve, Ministria e Jashtme e Greqisë e kishte cilësuar si të papranueshme nxjerrjen jashtë të Kishës në Përmet, pavarësisht vendimeve gjyqësore.





