DURRËS, 12 maj 2013 –Qarku bregdetar duhet të nxjerrë deputetë jo vetëm kunetër, por, në “bashkëpunim” me Tiranën, edhe babë e bijë.

Jo pak habi ka shkaktuar në opinion durrsak, në veçanti në elektoratin demokrat, listimi i kryetarit të Partisë Agrare-Ambientaliste (PAA), Lufter Xhuveli.

Xhuveli është bërë i famshëm në leksikun politologjik shqiptar të viteve 2005 e  këtej për atë që është quajtur “xhuvelizëm” me ngarkesë pejorative, që do të thotë “konvertim ideologjik nga i majtë në të djathtë”, duke i paraprirë kështu Islamit, Dukës etj.

Xhuveli është bërë personazh i humorit, poezisë satirike, komenteve dhe opinioneve në medie dhe studime sociologjike.

Ndërkaq, Xhuveli figuron i teti në listën e PD-së së qarkut të Durrësit, pozicion i pafavorshëm për të fituar,

Megjithatë, duke u nisur nga fakti që Xhuveli ka njëfarë elektorati “agrar” (në kohën e socialistëve, në vitin 1998, arriti të shkarkojë drejtorin socialist të bujqësisë dhe të emërojë një ish-komunist për degën e Durrësit të PAA-së, edhe sot drejtor diku tjetër), Berisha e ka çuar në vendin e tetë, thjesht ta nxisë të punojë fort në mënyrë që votat “agrare” / rurale të kalojnë në favor të PD-së dhe jo të PAA-së.

Nga ana tjetër, Xhuveli ka fituar antipati në PD-në e Durrësit dhe për faktin që gjatë 8 vjetëve (1997-2005) të qeverisjes socialiste ka qenë më fanatiku në goditjen e biznesit të lidhur me të djathtën.

Madje, një rast, kur ministri Xhuveli nuk i dha tenderin e spedicionit të mallrave ushqimore në rezervat e shtetit agjencisë durrsake detare, u bë problem deri në ambasadën amerikane: administrator i agjencisë ishte një nga krerët e PD-së lokale, e cila me pikë figuronte e para, por Xhuveli nxori fituese një firmë import-eksporti(!) të “komiteteve të shpëtimit”, që doli e treta.

Ndërkaq kreu i PAA-së, Lufter Xhuveli, e ka çuar të bijën, Adrianën, në qarkun e Tiranës për të mbrojtur kauzën agraro-ambientaliste.

Tani, e djathta durrsake do të votojë për dy ish-ministra bujqësie të Nanos, Lufter Xhuvelin për PD-në, Agron Dukën për PR-në.  

/th.m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/