Askush nuk do ta zëvendësojë Valentino Rossin në garën e Misanos për Çmimin e Madh të San Marinos në “Moto GP” këtë fundjavë.

Në një komunikatë zyrtare, Yamaha shuan të gjithë zërat për pilotin e mundshëm që mund të garonte në vend të “doktorit” në këtë pistë. Valentino Rossi, i cili pësoi një frakturë në këmbë pak ditë më parë, do të mungojë të paktën deri në tetor, me shpresën se mund të ketë mundësi për të zbritur në pistë në Motegi.

Të paktën në dy garat e radhës, Yamaha do të prezantohet vetëm me Maverick Vinales.

“Skuadra Movistar Yamaha MotoGP” shpreh keqardhjen për faktin se Valentino Rossi nuk është në gjendje të garojë në Çmimin e Madh të radhës në Misano, që do të zhvillohet këtë fundjavë. Në garën e 13-të të botërorit, për Ymahan do të jetë në pistë vetëm Vinales. Yamaha i uron Valentino Rossit shërim të shpejtë, me shpresën për ta riparë sa më parë mbi M1 e tij"- përfundon komunikata.