Ylber Ramadani komentoi në një lidhje nëpërmjet “skype” me “Zona Gol” të Alban Xhihanit ftesën që mori nga trajneri Christian Panucci për ndeshjen miqësore me Turqinë. Ish-mesfushori i Partizanit tregoi se lajmi për grumbullimin në Kombëtaren A ishte krejt i papritur për të.
“Sapo isha kthyer në shtëpi nga stërvitje dhe mora biletat e udhëtimit për Kombëtaren U-21. Në atë moment më njoftuan se më datë 11 nëntor do t’i bashkohësha në Antalia Kombëtares. Ishte një ndjesi e veçantë. Edhe pse më datë 14 kam një takim shumë të rëndësishëm me Vejlen, i thashë trajnerit që dua të shkoj të luaj miqësoren e Shqipërisë. Përsa i përket pozicionit tim në fushë, preferoj të qëndroj para mbrojtjes.”
Ramadanit iu kërkua edhe një opinion për situatën që po kalon ish skuadra e tij, Partizani.“Partizani është një ekip që gjithmonë e nis sezonin me mendimin se mund të fitojë titullin. Iuliano mendoj se nuk e ka njohur ekipin, madje e ka nënvlerësuar kampionatin shqiptar. Gjithsesi, besoj se me Starovën skuadra do të ringrihet.”
Ramadani tha se shuma që ka përfituar Partizani nga shitja e kartonit të tij është rreth 200 mijë euro, ndërsa duke krahasuar kampionatet shtoi se në Danimarkë luhet një futboll më i shpejtë dhe fizik, por jo shumë taktik.





