Aktorët e dramës “Ylli pa emër”, i autorit rumun Mihael Sebastian, kanë zbritur në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, për të vijuar provat e nisura një muaj më parë në tavolinë.
Nën regjinë e Erion Kames, aktorët Andia Xhunga, Besmir Bitraku, Edmond Halili, Gjergj Doçi dhe Adelina Muça janë duke punuar që pas dy javësh të sjellin për publikun e gjerë premierën, e cila sjell një realitet global, atë të njeriut në kërkim të dashurisë përballë gjendjes së vetmisë.
Drama rrotullohet rreth marëdhënies së profesorit që luhet nga aktori i njohur Besmir Bitraku, që jeton në një fshat rural, dhe Adelina Muçës në rolin e Monës, një zonjusheje që vjen nga jeta kryeqytetase, e që bie në dashuri me profesorin.
Mona dashurohet marrëzisht pas profesorit, i cili kishte bërë një jetë të fjetur në fshatin e largët, ishte tërhequr nga bota, dhe kur erdhi Mona, jeta e tij ndryshoi. Por vajza nga kryeqyteti a mundet që për dashurinë të braktisë jetën mondane, të braktisë sallonet e bukurisë, modën, baret e lokalet, për të jetuar në një fshat të largët? Sa e ndryshon dashuria njeriun?
A është më e njëjta Monë, pasi njohu dashurinë në këtë fshat të largët?
A do ti kthehet më jetës mondane? Këtyre pikëpyetjeve i japin përgjigje aktorët në lojën e tyre.
Në rolin e asistent regjisores vjen për herë të parë Mimoza Marjanaku, një aktore me eksperiencë në këtë teatër.
Drama e autorit rumun sjell aktualitein shqiptar, por edhe atë global. Trajton temën e vetmisë së njeriut të sotëm, i cili si rrugë shpëtimi ka vetëm të gjejë dashurinë, por edhe dashuria është me pikatore. Aktorja Adelina Muça vjen në rolin e një vajze të vetmuar, e cila ka mbetur në një qytet të vogël, pa të ardhme.
Por a e braktis dot përfunduimisht për dashurinë jetën mondane Mona?
Ndjekim intervistat e aktorëve Besmir Bitraku dhe Adelina Muça.
K.H.





