Pronarët e 10 subjekteve që tregtojnë mish jashtë kushteve higjeno sanitare janë dërguar në prokurori

Temperaturat e larta të stinës së verës rrisin probabilitetin e prekjes së konsumatorëve nga sëmundje të ndryshme që shkaktohen nga produkte që tregtohen jashtë standarteve higjeno sanitare ose nga frutat dhe perimet që rriten me hormone. Për këtë arsye, puna e Agjensisë së Kontrollit Ushqimor është më e përqendruar kryesisht në zonën e plazhit, ku ndodhet fluksi më i madh i pushuesve. Ndërsa nënvizon faktin  se shumë grupe kontrolli janë në terren, drejtori i AKU-së, Gëzim Ylli thotë se kontrolli i frutave dhe perimeve të tregtuara në tregun e shumicës nuk janë kompetencë e institucionit që ai drejton.

Jemi në pikun e sezonit veror. Ku është përqëndruar vëmendja e institucionit që drejtoni?

Jemi përqendruar në zonën e plazhit sepse Durrësi është një qytet bregdetar dhe popullsia në këtë zonë disa fishohet gjatë tre muajve të verës. Ka një shtim të madh të konsumatorëve, të subjekteve tregtare dhe kjo situatë kërkon vëmendje të madhe për sigurinë e produkteve ushqimore që konsumojnë pushuesit. AKU ka ngritur 9 grupe pune të cilët janë shpërndarë për kontrolle në të gjithë qytetin, por me përqendrim të lartë në zonën turistike.

Ku janë kryer kontrollet, sa të tilla janë kryer dhe çfarë ka rezultuar nga analizat e mostrave të marra?

Janë kryer rreth 158 kontrolle në 89 restorante, 39 fast-food, 12 pastiçeri, 10 byrektore dhe 8 pika tregtimi ushqimor. Janë analizuar rreth 56 mostra për tregues fiziko kimik dhe bakteriologjik, (enterobaktere dhe salmonel) dhe deri tani janë brenda paramatrave të kërkuara.

Në zonën e plazhit ushtrojnë aktivitetin shumë restorante sezonale. A janë kryer kontrolle në to dhe a janë të pajisur me çertifikata dhe libreza shëndetësore?

Janë kontrolluar bizneset e reja ushqimore me autorizim kontrolli “Evidentim i ri”. Përgjithësisht janë të pajisur me libreza shëndetësore. Kur konstatojmë raste që nuk kanë librezë i lëmë një afat një javor për pajisjen. Nëse brenda këtij afati nuk pajisen me librezë, i pezullohet aktiviteti. Shikojmë që bizneset këtë vit janë ndërgjegjësuar dhe janë njohur me kërkesat e ligjit ushqimor Nr 9863 dhe kërkesat e A.K.U-së.

Një tjetër problem është mungesa e etiketave në produktet ushqimore si p.sh. djathi nuk ka etiketën e origjinës së mallit. Si veprohet nga ana juaj për këto produkte?

Ky produkt që ju përmendët hyn tek produktet e freskëta dhe etiketimi për to është më i veçantë. Shënohet origjina, emri i baxhos ose i fabrikës, shtesat ushqimore, emri tregtar dhe afati i përdorimit. Si rregull inspektori kontrollon dokumentacionin shoqërues dhe fletëanalizën që ky produkt e ka bërë para se të dalë në treg në laboratorët e çertifikuar, si dhe origjinën nga vjen, gjë që sigurohet për gjurmueshmërinë dhe historikun e cilësisë dhe sigurisë së  tij.

Një pjesë e konsiderueshme efrutave dhe perimeve të stinës që tregtohen në merkatë janë rritur me hormone dhe stimulues. Kush duhet t’i kontrollojë këta tregtarë? Sa i sigurt është konsumatori para këtyre produkteve?

Dihet që në pikat e kontrollit karantinat ekzistojnë dhe funksionon Inspektoriati Karantinor i Mbrojtjes së Bimëve. Këtu futen P.M.B, produkte, ferma, bimë etj., të shoqëruara me dokumentacionin që sigurojnë konsumatorin  për sigurinë e tij. Zhvillimi i shkencave gjenetike ka ecur përpara gjë që edhe në Shqipëri nuk mund të mos evitohet, përderisa përmbush rregullat për mos shkaktim të dëmeve në shëndetin e njeriut. Ne kontrollojmë dokumentacionin shoqërues, nuk lejojmë asnjë tolerim kundrejt ligjit të mbrojtjes së bimeve nr.9362 dt 24.03.2005 “Për shërbimin e mbrojtjes së bimeve dhe ligjin nr.10416 dt.7.04.2011 “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”. Por kontrolli i tyre në tregun e shumicës është një problem për instancat e larta dhe jo i AKU-së, me kompetencat që ky institucion ka.

Një tjetër fenomen i cili vë në rrezik shëndetin e konsumatorit është therja dhe tregtimi i mishit në rrugë. A keni marrë masa në këtë drejtim?

Në lidhje me fenomenin e therjes dhe tregtimit të mishit në rrugë A.K.U Durrës po mban nën monitorim të gjithë situatën duke vepruar me masa ligjore. Fenomeni është i përhapur në aksin rrugor Nikël-Thumanë ku subjekte të paligjshme therin dhe tregtojnë mish në anë të rrugës, në mënyrë abuzive, pa plotësuar kërkesat ligjore të këtij lloj biznesi. Për këto arsye krahas masave administrative që ka marrë drejtoria rajonale, 10 subjekte të këtij aksi iu është bërë kallëzim penal në prokurori  e rrethit Krujë. Brenda në qytetin e Durrësit vihet re një ndërgjegjësim i disa subjekteve në lidhje me therjen dhe tregtimin e mishit. Po ndërkohë vlen të theksohet se në qarkun Durrës nuk funksionon ndonjë thertore e përmasave të mëdha me liçencë përkatëse, por disa mini thertore dhe pika tregtimi që nga dita në ditë po shkojnë drejt standartizimit të tyre.

Çfarë plani masash ka ndërmarrë AKU për sezonin veror, për garantimin e sigurisë ushqimore në Durrës?

Janë ngritur gjithsej 9 grupe inspektimi: për kontrollin dhe monitorimin e sigurisë së ushqimeve joshtazore, sigurinë e ushqimeve shtazore, sigurinë  dhe mbrojtjen e bimëve dhe importeve bujqësore. Ekzistojnë grupet e kontrollit që mbulojnë si vijën bregdetare dhe tregjet, baxhot etj. Është në funksion të plotë laboratori rajonal i A.K.U për kryerjen e analizave laboratorike në kohë, i pajisur me mjetet dhe stafin e nevojshëm.

Sa konfiskime mallrash janë bërë gjatë këtij viti dhe sa masa administrative keni vendosur në subjekte?  

Janë konfiskuar 289.13 kv ushqime në vlerë rreth 434 milion lekë. Konfiskimet janë bërë në subjekte të ndryshme, ku janë gjetur produkte jashtë datës së skadencës, me etiketa në gjuhë të huaj apo produkti nuk ishte i shoqëruar me çertifikatën e origjinës së prodhimit. Janë marrë 4 masa administrative (gjobë) me vlerë nga 100.000 deri në 500.000 lekë të reja.



Pak veterinerë në port

Në pikën doganore më të madhe në vend, portin e Durrësit, inspektorët veterinerë që kontrollojnë produktet me origjinë shtazore që hyjnë në vend janë të paktë në numër. Një mjek veteriner duhet të kontrollojë mesatarisht nga 30 deri në 50 maune frigoriferike që mbërrijnë çdo ditë me prodhime me origjinë shtazore dhe nënprodukte të tyre. Shqipëria importon mish viçi, derri, pule, etj nga Brazili, Meksika, Australia etj. Në terminalin e trageteve në Durrës, pikën kryesore dhe më të madhe në vend e cila kryen mbi 70% të totalit të importit në rang kombëtar një strukturë e veçantë është Inspektoriati Veterinar i Kontrollit të Ushqimit. Pikërisht në këtë inspektoriat, i cili varet drejtpërdrejt nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit merret vula nga të gjithë bizneset importues dhe asnjë strukturë tjetër nuk e pengon dot më mallin që të dalë në treg për konsumatorin. Inspektoriati veterinar ka për detyrë të bëjë kontrollin e dokumentacionit të origjinës së mallit, por edhe kontrollin fizik, që do të thotë se duhet të verifikohet fizikisht malli që importohet. Në port mbërrijnë vetëm për tregun shqiptar rreth 50 kamionë dhe konteinerë në ditë, ndërsa një numër edhe më i madh kalon tranzit për në vendet e rajonit. Edhe këto mallra tranzite kërkojnë verifikim dokumentacioni. Vonesat që i krijohen biznesit janë proçeduriale, por që kanë një kosto dhe barrë të rëndë për  importuesit. Nëse kamionët qëndrojnë për ditë me radhë në port, mallrat ushqimore rrezikojnë të prishen, ndërkohë që kushtet për sigurinë ushqimore duhet të jenë shumë të larta para se të shkojnë tek konsumatori.



Mishi tregtohet në kushte jo higjenike

A janë të sigurt konsumatorët për mishin që blejnë? Kësaj pyetjeje edhe vetë drejtuesit e AKU-së i përgjigjen negativisht. Në këto ditë të nxehta korriku, ku rreziku i përhapjes së mikrobeve është shumë më i madh se në çdo muaj tjetër pasi rrezikohet shëndeti i popullatës, therja dhe tregtimi i mishit bëhet jashtë çdo kushti higjeno-sanitar. Problematika nis që nga higjena e kasapëve, ambienteve ku therin gjenë e gjallë, mënyra e transportit të mishit deri te hedhja e mbeturinave. Në qarkun e Durrësit ky është problemi më i madh, i cili nuk po gjen zgjidhje, sepse mishi theret në mes të rrugëve e po në të njëjtën mënyrë tregtohet në dyqanet pranë tyre, mes pluhurit dhe temperaturave të larta. Në rrugën nacionale Krujë-Fushë krujë dyqane të improvizuar therin me dhjetëra derra çdo ditë, jashtë çdo kushti higjeno sanitar. Vetëm mishi i supermarketeve mund të jetë më i sigurt, sepse ka vulën e kontrollit veterinar, ndërsa mishi i dyqaneve pa frikë mund të përbëjë rrezik për konsumatorin vendas.



Vasil Ziu

Drejtoria  e  shëndetit publik në Durrës këtë situatë e shikon si tepër problematike dhe u bën thirrje konsumatorëve të mos blejnë mishi në subjektet private, të cilat e therin gjënë e gjallë para dyerve të dyqaneve të tyre, në mes të rrugës. Kreu i kësaj drejtorie Vasil Ziu thotë se shërbimi veterinar në bashkinë e Durrësit duhet me patjetër të ushtrojë kontrolle më të rrepta dhe të marrë masa të mbyllë këto aktivitete që nuk sigurojnë asnjë kusht dhe standart për tregtimin e mishit. Tregtimi i këtyre produkteve e ekspozon konsumatorin ndaj helmimeve apo sëmundjeve që tjera që mund të shkaktohen nga bakteret


Gëzim Ylli

Drejtori Rajonal i  AKU-së tha se pronarët e 10 subjekteve që tregtojnë mish jashtë kushteve higjeno sanitare janë dërguar në prokurori, pas një numri të madh gjobash të vendosura ndaj tyre. Sipas Yllit problematika është më e theksuar në zonat ruruale, ku fermerët ndanë rrugëve me pluhur therin dhe tregtojnë bagëtitë. “Ne i themi të gjithë konsumatorëve që mishi që theret dhe tregtohet në anë të rrugëve  është një produkt i rrezikshëm. Konsumatori nuk duhet të blejë mish në këto pika. Kemi bërë 10 kallëzime penale për personat që tregtojnë mish jashtë standarteve në segmentin rrugor Nikël-Thumanë.