Në kuadër të projektit “Youth Guide for Durrës”, të Shoqatës “Udhëtim i Lirë-Liberi di Viaggiare” me mbështetjen e Programit Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor “ReLOad”, që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim “UNDP” në partneritet me Bashkinë e Durrësit, ditën e enjte më 30 janar 2019, u zhvillua ekspozita me punime artistike nga 30 fëmijë të familjeve të dëmtuara nga tërmeti.

Këta fëmijë janë të strehuar së bashku me familjet në hotel “Bonita” që pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Në ekspozitën e organizuar nga shoqata “Udhëtim i Lirë”, përmes punimeve, fëmijët paraqitën gjendjen aktuale në të cilën ndodhen familjet e tyre për shkak të tërmetit që i la pa banesa.

Kjo ekspozitë ishte në vijim të projektit të zhvilluar në periudhën qershor 2019 – janar 2020 për guidat turistike. Qëllimi ishte ofrimi i mundësive të punësimit dhe vetëpunësimit për rininë lokale, duke rritur rolin e tyre në zhvillimin e turizmit në Bashkinë e Durrësit. Përmes tij, synohet të ulet numri i të rinjve që largohen nga Shqipëria dhe rritja e cilësive të jetesës brenda vendit.

Më herët, në kuadër po të projektit “Youth Guide for Durrës”, 84 të rinj u trajnuan si guida turistike për qytetin bregdetar. Nga këta, 64 të rinj nga Durrësi u trajnuan si udhërrëfyes dhe si një mjet për punësimin dhe vetëpunësimin e tyre në fushën e turizmit, ndërsa 20 të tjerë u trajnuan për krijimin e 9 videove dhe spoteve promovuese të pasurive të qarkut të Durrësit, duke përdorur teknologjitë e reja; si dhe për promovimin e trashëgimisië arkeologjike, historike, kulturore, artistike, kulinare dhe burimeve të Durrësit.

Si rezultat, është botuar një guidë turistike për evidentimin e aseteve që ofron Durrësi për t’u eksploruar nga turistët vendas e të huaj, përgatitur nga këta të rinj që i përkasin shtresave të margjinalizuara.