DURRËS, 21 janar 2015  –  Vizitave të ministrit të brendshëm italian Alfano dhe nëndrejtorit të përgjithshëm të policisë italiane Rocca (Roka), më në fund po i “del tymi”. Kryefjala e këtyre vizitave na paska qenë alarmi maksimal në kufijtë e panikut, në majat e organeve ligjzbatuese italiane për rrjete xhihadistësh italo-shqiptarë.

Kur themi italianë nënkuptojnë shtetas italianë, pavarësisht se mund të jenë italianë etnikë, apo edhe tunizianë, marokenë, bangladeshas, jemenas etj. Kur themi xhihadistë shqiptarë nënkuptojmë shqiptarë etnikë, që mund të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës apo edhe të FYROM-it. 

Shërbimet italiane këta xhihadistë i kanë zbuluar duke monitoruar rrjetet sociale si facebook, blogjet e ndryshme , instagramin, portale të tilla si ato të shitjes së sendeve të përdorura apo të dhurimit të sendeve të përdorura etj. etj. pra nuk bëhet fjalë për agjentë njerëzorë tip Xhejms Bondi, nuk bëhet fjalë për aparatura të sofistikuara elektronike, apo për satelitë të kushtueshëm.

Italianët, ndonëse të disavantazhuar për shkak të gjuhës dhe mosnjohjes deri në imtësi të mentalitetit, historisë apo mikrogjeografisë së shqiptarëve dhe Shqipërisë, kanë arritur suksese në këtë drejtim. 007 tona normal presin urdhër nga Ollga moskovite të veprojnë, ndërsa “çunat” e Tahirit me siguri janë të zënë me ndërtimet pa leje dhe hajdutët e korentit.

E ku ia kanë ngenë të merren me dava terroristësh e xhihadistësh! Tri bomba në tre ditë, vetëm në Durrës, siç duket nuk janë këmbanë alarmi, por ninullë për foshnje djepi.

Tashmë, organet e specializuara italiane kanë filluar t’u ofrojnë mediave italiane emrat dhe fotot e disa prej shqiptarëve ekstremistë, që banojnë apo kanë banuar në Itali. Adoleshenti Demir Jonuzi është një nga rastet e ekstremistëve islamikë shqiptarë, me Kuran e pushkë automatike në dorë, që të paktën verbalisht  është gati të vrasë kaurët e pabesë.  Jonuzi, në prill mbush 19 vjeç. Ai ra në sy të shërbimeve italiane, që kur mbahej në një qendër pritjeje për minorenë me probleme në qytezën e Cividale del Friuli-t, ku qëndroi vetëm 7 muaj deri në prill 2013. Italianët e dëbuan menjëherë nga Italia, duke na e lënë “kopilin” në derë, ne shqiptarëve.

Në mënyrë figurative mund të them se shërbimi sekret shqiptar jo e jo, por as strukturat antiterror të Ministrisë së Brendshme nuk e kanë në defterët e tyre adoleshentitn Jonuzi, ndonëse ai u kthye nga Italia në Shqipëri si i dëbuar forcërisht.

E pra italianët e zbuluan thjesht nga postimet e komenteve dhe fotove të tija në Facebook! 

Interesante është edhe një foto tjetër e z. Demir, ku ai pozon me një person tjetër, që nga foto duket më i madh në moshë dhe që mban mjekërr. Në të dy fotot, që po botojmë z. Demiri pozon me pushkë automatike mod. 63 (prodhim kinez), por me karikator 30 fishekësh jo 20 fishekësh sic përdoret zakonisht me të tilla pushkë. Theksojmë se kjo lloj pushke automatike është shumë më e rrallë se sa variantet e pafundme të automatikut kallashnikov.

Kjo lloj pushke, zyrtarisht në Ballkan dhe Europë ka qenë vetëm në armatimin e Ushtrisë Popullore Shqiptare. Pushka në fjalë është prodhuar vetëm në Kinë në vitet 1969-1978. Kjo pushkë ka qenë në arsenalet e ushtrive kineze (tashmë në rezervë, për milicinë popullore), në ushtrinë e Vietnamit të Veriut ( e nxjerrë në rezervë pas vitit 1977) dhe nga muxhahedinët në Afganistan, që nga viti 1983 e deri më sot.

Theksojmë se italianët kanë emrat e fotot e të tjerëve ekstremistë islamikë shqiptarë përfshirë këtu edhe bashkëshortin shqiptar të “Fatimes” italiane (sot luftëtare në radhët e Kailfatit islamik). Vërejmë se bashkëshorti shqiptar i Fatimes italiane nuk është hoxha radikal Sadiku nga Prishtina, siç shkruante në mënyrë të qëllimshme për të turbulluar ujërat, një e përditshme shqiptare me pronar të huaj.

Bashkëshorti i saj është vlonjat dhe sot lëviz në zona të Sirisë si qyteti Raqa apo edhe në Halep, në përbërje të nënreparteve luftarake të Kalifatit islamik.

Gjithsesi “historia” e emrave dhe  fotove të të tjerëve shqiptarë, me lidhje me shtetas italianë (etnikë ose jo) të shndërruar në radikalë islamikë, madje edhe në xhihadistë të armatosur, normalisht do të duhet të shtjellohen në një artikull tjetër shterues për këtë temë.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/