Në 17 vjetorin e marrëveshjes së Ohrit, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev mbrojti sërish paktin me Greqinë për emrin duke thënë se drafti nuk cenon identitetin kombëtar të maqedonasve, kulturën dhe gjuhën e tyre.

“Me këtë marrëveshje, etnia jonë konfirmohet si “maqedonase “,  gjuha jonë zyrtare është e mbrojtur si “gjuha maqedonase” pa fusnota apo shtesa. E ardhmja e “maqedonasve” është e garantuar.”

Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjes së Prespës hoqi dhe pengesën e fundit në rrugën e anëtarësimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ndaj sipas tij maqedonasit duhet ta ratifikojnë në referendumin e 30 Shtatorit.

“Më 30 shtator secili prej nesh ka potencial për të kontribuar në krijimin e Maqedonisë Evropiane. Kjo është një mundësi historike për të ardhmen dhe ne duhet ta vlerësojmë me përgjegjësi. Le t’i themi “po” të ardhmes tonë “maqedonase”.

Marrëveshja për emrin kundërshtohet fort nga opozita që ka ndërmarrë një nismë pro bojkotit të referendumit. Një sondazh i agjencisë MIA tregoi se 88% e shqiptarëve të Maqedonisë e përkrahin marrëveshjen, ndërsa 45 për qind e maqedonasve janë kundër saj.