Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev shprehet optimist për të marrë një datë për çeljen e negociatave me BE-në në dhjetor të këtij viti.

Zaev thotë se Bullgaria deri në nëntor mund të formojë qeverinë dhe të zhbllokojë negociatat për Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë.

“Mbetet shpresa jonë se “fati i tretë” në Bullgari, para se gjithash për popullin bullgar, të formojnë qeveri politike, që të mundemi në fund të dhjetorit, kur do të mbahet Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Evropian , të merret vendim, në kohën e presidencës Sllovene”, tha mes tjerash Zaev.

Ditën e djeshme, në Samitin në Bled të Sllovenisë u rihap çështja e negociatave teksa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kërkoi publikisht presidentit të Bullgarisë Rumen Radev që të lejonte hapjen e negociatave të Maqedonisë me BE-në.

Radev ftoi palët në dialog duke u siguruar se çelësi i negociatave është në dorë të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.