Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka treguar se si nisi konflikti mes fiseve Çapja dhe Çela në Elbasan. I ftuar në emisionin ‘Të Pa Ekspozuarit’ në “News24”, Hoxha bëri deklarata të forta ndërsa pohoi se deri në vitin 2015 fisi Çapja ishin ‘mbretërit’ e Elbasanit.

“Histori që flasim ne e ka zanafillën kur kanë hyrë lojërat e fatit në Shqipëri. Sokol Çapja i cili futi një numër të konsiderueshëm makinetash, kompjutera ku luhen lojëra fati, duke qenë se po futej një operator tjetër në treg një italian, i hyri frika sepse italiani i kishte të jashtëligjshme dhe kishte shpërndarë shumë makineta në Elbasan. Ndërsa italiani ia kishte lënë nën administrim Rezart Çeles. Sokol Çapja donte që të merrte në kontroll makinetat që la italiani pasi ai u largua. Këtu nis dhe përplasja mes Rezart Çelës dhe Sokol Çapjas.

Ky tani që të marrë në kontroll biznesin e lojërave të fatit pajton tre vrasës me pagesë. Njëri nga ata është i identifikuar si shumë i rrezikshëm.

Këta persona janë: Dritan Sheme, Gentian Beqiri dhe Armand Hasani. Sheme ka qenë një nga vrasësit më të rrezikshëm në Elbasan. Këta do të vrisnin Rezart Çelën. Me vrasjen e Çelës, Sokol Çapja merr kontrollin dhe biznesin e lojërave të fatit.

Por, Sokol Çapja nuk i pagoi më pas vrasësit sepse u kishte pas dhënë një parapagim. Nga ky moment nis dhe hakmarrja e vrasësve me fisin Çapja. Nga këta të tre sot dy janë vrarë. Përveçse janë vrarë vetë, atyre u janë vrarë dhe vëllezër. Beqiri është vrarë ndërsa ruhej nga policia, ishte në arrest shtëpie. Ai kishte dy policë tek dera e shtëpisë. Hynë dy persona në shtëpi dhe vrasin si Gentian Beqirin si babain e tij.

Në vitin 2016 është vrarë dhe vëllai i Gentian Beqirit. Dritan Shemja i ka shpëtuar atentatit në fillim. Dritan Shemen e kanë vrarë në Tiranë, shkruan “Panorama”.

Nga ky moment del në skenë fisi Çapja. Mes personave që ata kanë vrarë është dhe ish-shefi i qarkullimit Fadil Mema. Fadili ka qenë kandidat për deputet në vitin 2005.

Fadil Mema ka shkuar tek hoteli i Çapjave dhe ka kërkuar që të bëjë atje një ditëlindje. Mes personave që ai kishte ftuar aty ka qenë dhe Dritan Sheme, pra vrasësi me pagesë. Dhe ata aty e kanë ofenduar në publik.

Me pas Fadil Memës iu bë atentat në Torino dhe shpëtoi. Por ai më në fund është vrarë më 13 mars të vitit 2015 që bëri bujë në Itali. Ky atje ishte biznesmen që shpërndante gazeta. Atje u tha se ai ishte gazetashitës, por ai ishte biznesmen. Janë Çapjat njerëzit që kanë vrarë disa punonjës policie atje dhe janë ata njerëzit që nuk janë goditur dhe nuk janë paralizuar.

Janë mbretërit e Elbasanit. Është vrarë edhe ish-inspektori i Antidrogës. Gjatë 8 viteve që në pushtet ka qenë maxhoranca e djathtë, grupi që ka mbizotëruar Elbasanin dhe ka krijuar bizneset të paligjshme është ai i Çapjave”, tha Hoxha.