Interi do të përballet me Manchester Cityn në finalen e Champions League, të planifikuar për në datën 10 qershor në Stamboll. Zikaltërit vijnë në këtë sfidë si skuadër jo-favorite, por gjithsesi kjo nuk pengon aspak italianët të tentojnë trofeun.  Në një intervistë për “Radio La Red”, zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, ka thënë diçka për finalen e madhe.

“Ne kemi të gjitha mjetet për të shqetësuar një ekip të pamposhtur. Për mua City është shumë më i kompletuar, sepse ka alternativa në të gjitha linjat dhe ka lojtarë të nivelit të lartë, kudo në fushë mund të të heqë ekuilibrin.

Gjithçka mund të ndodhë në një finale, sepse gjërat ndryshojnë nga një moment në tjetrin. Nëse kthehem në vitin 2010, në gjysmëfinale kundër Barcelonës ishte pothuajse një finale, sepse duhej fituar. Ne arritëm të kapërcejmë një pengesë që dukej e pamundur, nëse i besoni asaj që bëni, gjithçka ësthë e mundur.

Të përballesh me një ekip anglez nuk është si çdo ndeshje tjetër, Premier League është në një moment të mrekullueshëm dhe do të jetë një finale e rëndësishme, kundër një trajneri të madh.

Jam entuziast për këtë finale, është një mundësi e madhe dhe ne mund të fitojmë kupën e katërt të Champions League”, – tha ai.