Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, ka folur pas kualifikimit të skuadrës zikaltër në finalen e Ligës së Kampionëve.

Në një intervistë për radion argjentinase Radio La Red, ish-kapiteni i famshëm interist ka shprehur emocionet dhe krenarinë për rrugëtimin e klubit, duke shpresuar që më 31 maj në Mynih të ndodhë një “kalim stafetash” simbolik – nga dora e tij tek ajo e Lautaro Martínez.

“Jam shumë krenar për paraqitjen e Interit”, u shpreh Zanetti. “Në të dyja ndeshjet ndaj Barcelonës, skuadra tregoi përkushtim dhe arriti të përballojë vështirësitë.

Në gjysmëfinale pamë dy ekipe me stile të ndryshme, me mënyra të ndryshme sulmi. PSG në finale? Mendoj se është një ndeshje 50 me 50. Edhe ata kanë arritur me meritë në këtë pikë. Është një ndeshje teke dhe duhet ta luajmë me të njëjtin nivel si në gjysmëfinale”.

Zanetti vlerësoi edhe punën e trajnerit Simone Inzaghi, duke e quajtur “liderin absolut të skuadrës”: “Ka katër vite që është me ne dhe ka bërë që të gjithë të jenë më konkurrues. Në tre vitet e fundit kemi arritur dy finale Champions-i me të në stol”.

Për sulmuesin Lautaro Martínez, Zanetti shprehet me fjalët më të mira: “Shpresoja të bëhej lojtari që është sot. Në ndeshjen kundër Barcelonës dha gjithçka derisa u zëvendësua.

Ai është i rëndësishëm për Interin dhe për Kombëtaren. Jep gjithmonë maksimumin dhe ka potencial për të fituar Topin e Artë. Është i lumtur këtu, ndihet i vlerësuar dhe i rëndësishëm. Kur ndihesh mirë, kjo ndihmon shumë”.