2 shtator 2014 –  Spektakël dhe gola në ndeshjen e bamirësisë që u zhvillua në “Olimpico” të Romës në nder të Papa Franceskut. Nga njëra anë Maradona dhe miqtë e tij dhe nga ana tjetër ish-kapiteni legjendar i Interit, Javier Zanneti me shokë. Për kënaqësinë e tifozëve të Romës, golin e parë e shënoi lojtari i blerë këtë verë nga skuadra, Juan Manuel Iturbe, i cili kaloi skuadrën e Maradonës në avantazh. Vetëm pak minuta më vonë topi shkoi në këmbët e Roberto Baggios dhe ai tregoi se nuk e ka humbur aftësinë e një golashënuesi të lindur duke dyfishuar shifrat për ekipin e El Pibe D’Or.

Megjithatë pas pushimit skuadra e Zanettit hyri shumë më e motivuar në fushë dhe falë një magjie të Andriy Shevcenkos nga pika e bardhë e penalltisë arriti të ngushtonte rezultatin. Ndërsa Shevcenko realizonte një gol nga ata që dinë t’i bëjnë vetëm Totti e Pirlo, trajneri i Atleticos së Madridit Diego Pablo Simeone tregoi edhe në këtë takim miqësor grintën që e ka karakterizuar gjithmonë si futbollist teksa me shpejtësi mori topin duke e vendosur atë në qendër të mesit të fushës për të filluar sërish lojën. Gjithsesi “Show” i skuadrës së Zanettit nuk përfundoi këtu pasi vetëm pak çaste më pas Mauro Icardi barazoi rezultatin.

Sulmuesi i Interit arriti të realizonte edhe dy herë të tjera ndërkohë që në fund skena ishte e gjitha për Shevcenkon që sigloi dy golashin personal me një tjetër perlë. Sfida u mbyll me rezultatin 6-3 në favor të skuadrës së Zanettit, por në këtë takim fitoi spektakli, fituan tifozët e pranishëm në stadiumin “Olimpico” të Romës si dhe fitoi kisha katolike e Vatikanit me në krye Papa Franceskun.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/