Zani Çaushi i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës, ku kërkon lirimin me kusht.

Sipas tij, ai ka shlyer më shumë se 31 vite burg dhe për pasojë ka kryer ¾-t e dënimit me burg përjetë, vendim i dhënë nga Gjykata e Lartë.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës, Çaushi kërkon përllogaritjen e viteve të burgut.

Avokati Arben Lena tha se klienti i tij është duke kërkuar llogaritjen e saktë të viteve të paraburgimit, pasi sipas avokatit janë bërë gabim.

Aktualisht, Çaushi po kryen dënimin në burgun e Drenovës, ndërsa i është drejtuar Gjykatës me një kërkesë të tillë edhe gjatë muajit korrik.

I njohur si kreu i Bandës së Çoles dhe njeriu që komandonte Vlorën në vitin 1997, Çaushi prej vitesh vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë.

Banda e Çoles u krijua nga Myrteza Caushi, i njohur ndryshe edhe si “Zani”, i forti i Vlorës, personazhi i rebelimit në mars të vitit 1997. Pjesëtarët e grupit ishin 15 persona, shumica me precedentë penalë. Myrteza Çaushi ishte i burgosur në një nga burgjet e sigurisë së lartë në Greqi, pasi kishte disa vepra të rënda penale. Krejt papritur, në muajin shkurt 1997, ai arratiset nga burgu dhe rikthehet në Vlorë, ku duke përfituar nga trazirat, së bashku me disa shokë të tij krijojnë bandën e njohur në gjithë vendin për krimet monstruoze që ka kryer.

Në Vlorë, gjatë trazirave të vitit 1997, u formuan 5 banda. Tri prej tyre ishin rivale me atë të Zanit, Banda e Gaxhait, Banda e Kakamit (shpeshherë bashkoheshin në një grup) dhe Banda e Pusit të Mezinit. Kjo e fundit u eliminua gjatë masakrës së Levanit më 28 mars 1997. Kjo bandë u nis për të eliminuar Zanin dhe Komitetet e Shpëtimit që po mblidheshin në Vlorë, po u dekonspiruan nga zyrtarë shtetërorë. Rivalitetin më të madh, banda e Zanit e pati me bandën e Gaxhait. Përplasja midis tyre nisi më 9 maj 1997, kur u vra Bernard Duçka, i njohur si Kuqo, anëtar i bandës së Gaxhait.

Gaxhai në kundërpërgjigje tentoi të merrte autoblindat e Policisë për të luftuar me Zanin, po nuk ia arriti. Me përfundimin e trazirave dhe arrestimin e pjesëtarëve të dy bandave, lufta midis tyre mbaroi. Ja cila është një pjesë nga kronika e përgjakshme e Bandës së Çoles (Zani Caushit). Banda e drejtuar në vitin e tmerrit nga Zani Caushi kujtohet për shumë krime të rënda, ku disa prej tyre janë:

Më datë 7 maj 1997 merret peng tregtari nga Tepelena, Artur Gjoshi, dhe miku i tij, Pëllumb Petriti. Kjo ngjarje solli një përplasje të ashpër midis bandave të Vlorës dhe atyre të Tepelenës. Më 8 maj 1997 rrëmbehet tregtari Foto Kola, pas torturave lirohet për 500.000 lekë. Më datë 9 maj 1997 vritet Bernard Duçka me nofkën “Kuqo”, që kishte shkuar për të ndërmjetësuar për lirimin e Gjoshit. Kundërshtarët për t’u hakmarrë rrëmbejnë vëllanë e ushtarit të Zanit, Avdyl Bajrami, të cilin e vrasin.