Ende nuk ka asnjë gjurmë nga Ervis Martinaj. 40-vjeçari, koka e një grupi kriminal, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, por lëvizte i qetë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Pasditen e 7 gushtit ai është zhdukur dhe nuk shfaqet më në asnjë pamje filmike.

Martinaj, nuk komunikoi për dy ditë me familjen dhe kjo bëri që xhaxhai i tij, Faik Martinaj të denonconte zhdukjen e tij.

Deri më tani kanë dalë dy variante për zhdukjen e Martinajt, siç është inskenimi nga vetë 40-vjeçari dhe vrasja nga grupet kriminale.

Gazetarët investigativë raportojnë se Ervis Martinaj ka komunikuar për herë të fundit me Rakip Martinajn, babain e Brilant Martinaj.

Komunikimi ka ndodhur në 19:23 dhe që prej atëhere asgjë nuk dihet për Vis Martinaj. Nuk dihet se çfarë i ka thënë 40-vjeçari xhaxhait të tij.

Kujtojmë se Brilant Martinaj u vra më 17 korrik në mbikalimin e Fushë-Krujës, bashkë me Diklen Vatën dhe Besim Hoxhën. Ai ishte kushëriri i parë i Vis Martinaj dhe pika e tij e dobët.