FIER-21-vjeçari, djali i një biznesmeni fierak që u gjet i pajetë ditën e djeshme në Komunën Seman është vrarë me mjete të mprehta. Policia dyshon se vrasja mund të ketë pasur motiv, grabitjen.
Andi Prifti, 21 vjeç është qëlluar me thikë dhe jo më armë zjarri sic u konstatua një ditë më parë nga policia. Nga hetimet e kryera është mësuar se Prifti kishte fituar një shumë të hollash në një pikë bastesh. Këto shtojnë dyshimet për policinë, se vrasja mund të ketë ndodhur nga një ose disa grabitës.
Dje në orët e pasdites është gjetur në një kanal në hyrje të fshatit Seman kufoma e një të riu. Policia, e njoftuar nga banorë të zonës, ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vetëm pas disa minutash ka mundur të identifikojë viktimën, i cili është Andi Prifti, 21 vjeç, banor i Fierit.
Ndërkohë, mësohet se një ditë më parë, prindërit e viktimës kishin denoncuar për zhdukjen e djalit dhe kishin dhënë edhe detaje për rrobat që mbante veshur. Paraprakisht policia dyshon se vrasja ka si motiv grabitjen, pasi mendohet se natën e krimit, viktima ka pasur një shumë të konsiderueshme parash me vete. Sipas policisë, mësohet se viktima është 21-vjeçari Andi Prifti, djali i një biznesmeni, banues në lagjen "Sheq i vogël", në Fier. Ndërkohë, policia thotë se i riu është vrarë në një vend tjetër e më pas është hedhur në kanal bpër të humbur gjurmët.
Nga dëshmitë e personave të marrë në pyetje ka rezultuar se 21-vjeçari Andi Prifti, të shtunën në mbrëmje është parë duke hyrë në një pikë bastesh sportive në lagjen "Konferenca e Pezës". Mendohet se i riu ka pasur një shumë të konsiderueshme parash me vete, pasi i ati zotëronte dy dyqane në Fier dhe 21-vjeçari mblidhte xhiron ditore të tyre. Po të shtunën në darkë, pasi kanë parë që djali i tyre nuk po vinte në shtëpi, prindërit kanë njoftuar policinë për zhdukjen e tij. Në kallëzimin e tyre, ata kanë përshkruar edhe rrobat e 21-vjeçarit, i cili mbante veshur një palë tuta sportive me dy shirita të bardhë anash, ndërkohë që kishte pak mjekër. Kur është kryer identifikimi i kufomës, policia ka bërë edhe lidhjen me zhdukjen e të riut një natë më parë.
Rreth 18 persona janë shoqëruar në polici, duke përfshirë edhe dëshmitarët në pikën e basteve, ku është parë herën e fundit i riu. Ende nuk dihen motivet e krimit, por sipas policisë, pista kryesore është ajo e grabitjes. Madje dyshohet se autori, mund të jetë një person i njohur me viktimën, që mund ta ketë ditur se 21-vjeçari kishte para me vete. Babai i 21-vjeçarit, Ligor Prifti është pronar i dy njësive tregtie me shumicë. Mësohet se Andi ishte djali i vetëm i tij, ndërkohë që ka edhe një vajzë të martuar, e cila jeton në Itali. Banorët shprehen se 21-vjeçari dhe prindërit e tij, njihen si njerëz shumë të mirë, familjarë dhe biznesmenë të ndershëm, dhe nuk kanë pasur probleme më parë





