Zbardhet vendimi i Gjykatës së Durrësit për 7 adoleshentët e akuzuar se kanë kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur në qytetin e Kavajës. Akuza e ngritur për ta është “marrëdhënie seksuale me të mitur”.

Shtatë adoleshentët u lanë në burg ditën e hënë, ndërsa identiteti dhe inicialet e tyre nuk bëhen të ditura për shkak të moshës së mitur dhe përmasave të rënda që ka si ngjarje e paprecedentë.

Vajza e mitur ka rrëfyer ngjarjen e plotë se si nisi historia me djalin e parë dhe sesi u kërcënua ditë pas dite nga djemtë në vazhdim.

Ngjarja e rëndë u zbulua nga mësuesja kujdestare e nxënëses. Pasi mësuesja mësoi çfarë kishte ndodhur, vuri në dijeni nënën e të miturës, psikologen dhe drejtoreshën e shkollës.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu faktin e rëndë se 8 adoleshentët që shantazhonin të miturën përmes një videoje seksuale, synonin që ta shfrytëzonin seksualisht 14-vjeçaren me djem të tjerë kundrejt pagesës. Qëllimi i tyre ishte që me paratë që do të përfitonin, të blinin pajisje për lojëra në internet.

"DurrësLajm" publikon vetëm një pjesë të saj:

“Të premten e javës përpara se të bënte kallëzimin penal mësuesja kujdestare, shtetasja M.B., e ka pyetur se çfarë marrëdhënie kishte ajo me A dhe pasi e mitura ia ka treguar të gjitha, mësuesja kujdestare ka njoftuar nënën e të miturës dhe ia ka treguar të gjitha në prani të drejtoreshës dhe psikologes së shkollës. Po kështu, të dielën në drekë e ka marrë në telefon mësuesja kujdestare dhe pasi ka shkuar në shkollë me nënën e saj është takuar me mësueses kujdestare, psikologen e shkollës, drejtoreshën e shkollës dhe drejtoreshën e arsimit. E mitura ka deklaruar gjithashtu se për shkak të kësaj ngjarje ka tentuar të bëjë edhe vetëvrasje, edhe pse është tip social dhe e shkathët. Pas paraqitjes së kallëzimit penal është proceduar me kqyrjen e vendeve të referuara nga e mitura dhe nga procesverbali i kqyrjes së vendeve rezulton se vendndodhja dhe gjendja e tyre përputhet me ato të përshkruara nga e mitura.

Përpara se të paraqiste kallëzimin penal, e mitura ka ardhur në dijeni të faktit se djemtë po bënin plane që ajo të kryente marrëdhënie seksuale me shumë djemë të tjerë dhe me lekët që do t’i jepnin ata pasi të kryenin marrëdhënie seksuale, i mituri A do të blinte pajisje lojërash në internet”, evidentohet në dosjen hetimore.