Gazmend Çollaku 33 vjeç, banor i lagjes numër 6 në Durrës, person me precedent penal është rrëmbyer nga katër persona të maskuar si punonjës policie mbrëmjen e sotme në parkingun pranë dy kullave binjake në sheshin "Taulantia".

Rrëmbimi ka ndodhur rreth orës 19 e 10 minuta nga katër persona ende të paidentifikuar nga policia e Durrësit, të cilët pasi e kanë futur në bagazhin e një automjeti tip Audi me targa gjermane, janë larguar në drejtim të paditur. Policia ka shoqëruar së paku 20 persona dhe vijon shoqërimi i personave të tjerë, për të sqaruar konfliktet që mund të jetë përfshirë 33-vjeçari, i cili është i fejuar me një vajzë nga qyteti i Durrësit. Burimet nga policia konfirmuan për "DurresLajm" se Çollaku ka qenë i dënuar vite më parë për një plagosje, ndërsa të njëtat burime theksojnë se dyshimet kanë ekzistuar se ka qenë i përfshirë edhe në trafik droge.

Grupi hetimor sekuestroi pamjet filmike të lokalit ku ka qëndruar duke pirë kafe 33-vjeçari. Nga pamjet e kamerave të jashtme të lokalit hetuesit kanë evidentuar makinën tip Audi me targa gjermane. Regjistrimet e kamerave janë marrë si provë materiale. Gjithashtu po vijon puna për identifikimin e personit i cili e ka thirrur Çollakun, brenda në lokal. Hetimet janë duke u zhvilluar paralelisht në disa pista, në drejtim të përfshirjes së tij në ndonjë pazar të prishur droge, të ndonjë borxhi ndaj personave të tjerë, apo ndonjë konflikt më të hershëm.

K.H