Këtë të hënë, Presidenti Ilir Meta kallëzoi penalisht në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion tre zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës për botimet zyrtare.
Gjatë fjalës së tij për mediat, Meta përmendi vetëm emrin e ministres Etilda Gjonaj, ndërsa tha se janë dhe dy persona të tjerë.
Bëhet fjalë për Gentian Deva, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë dhe Etleva Haxhia, Drejtoreshë e Qendrës së Botimeve zyrtare.
Kreu i shtetit i kërkon SPAK të hetojë tre zyrtarët e lartë për katër vepra të ndryshme penale; “Shpërdorim të detyrës”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, thuhet në ekstraktin e kallëzimit penal.





