Zbardhen emrat e 13 nga 17 zyrtarëve dhe policëve të arrestuar, të cilët dyshohet se kanë lejuar ndërtimet pa leje në zonën e Durrësit, Manzës dhe Shijakut.

Ministria e Brendshme në informacionin për mediat bërë publik ditën e enjte, tha se në operacion morën pjesë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë , duke çuar në pranga 17 zyrtare policie dhe pushtetit vendor, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Në operacionin e koduar “Abuzuesit”, janë zhvilluar hetime disa muaj, në bashkëpunim edhe me prokurorinë e Durrësit. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, teksa janë vënë në pranga 11 efektivë policie, 2 inspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe 4 zyrtarë të tjerë, pasi akuzohen se kanë lejuar ndërtimet pa leje. Mbi të arrestuarit rëndojnë dy akuza “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion”.

EMRAT

  1. Besnik Domi, Shef i Rendit në Shijak
  2. Sami Xhafa, Shefi i Stacionit të Policisë në Manzë
  3. Ermal Petova, specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Manzë
  4. Nikollë Marku, specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Manzë
  5. Agim Osmani, specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës
  6. Gani Dama, Polic patrulle (në kërkim) në Komisariatin e Policisë Durrës
  7. Haxhi Sherra, Ndihmës specialist i komisariatit Shijak
  8. Petrit Neziri, Ndihmës Specialist Policia, Manzë
  9. Ndriçim Shika, Ndihmës Specialist, Policia, Shijak
  10. Gjergji Gerco, Sekretar i Njësisë Administrative, Sukth.
  11. Jul Kacadej, Specialist në IMT, Shijak
  12. Marjus Shahini, Kryeinspektor IMT, Shijak
  13. Adem Lika, Ndërtues.

Veprimet dhe mos-veprimet e tyre konsistojnë në favorizime të ndërtimeve pa leje, falsifikime dokumentesh, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos evidentim të kallzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore etj.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me kompetencat e ushtrimit të detyrës, dyshohet se kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin edhe në vlera monetare, i cili ka mundësuar dhe sjellë si pasojë ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj., duke shmangur kështu zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre.