Ngjarja e rëndë që tronditi Durrësin një ditë më parë ka nisur menjëherë pasi kryefamiljari Ardian Kuka (në foton poshtë) ishte kthyer në shtëpi nga puna, ku angazhohej në pozicionin e shoferit pranë OSHEE-së.

Kohët e fundit, që nga momenti që bashkëshortja e tij Hazbia kishte nisur të punonte si edukatore në një kopsht në Durrës, mes çiftit kishin nisur debatet që kishin si pikënisje xhelozinë. Ardiani, edhe pse ia kishte siguruar vetë vendin e punës, ishte shumë xheloz për bashkëshorten, pasi ajo kishte filluar të vishej më mirë se zakonisht kur shkonte në punë. Ky fakt ka bërë që ai të dyshonte për ndonjë lidhje jashtëmartesore të Hazbies, raporton Panorama.

Debatet mes çiftit kishin nisur të shtoheshin, ndërsa mesditën e djeshme degjeneruan deri në përdorimin e thikës. Në debat e sipër, ku i pranishëm ishte edhe djali i tyre 8- vjeçar, Ardiani e qëlloi disa herë me thikë bashkëshorten dhe më pas u largua me shpejtësi me makinën e punës në drejtim të paditur.

Ndërkohë, i mituri, që është edhe fëmija i vetëm i çiftit, lajmëroi menjëherë dajat, të cilët jetojnë pranë banesës së familjes Kuka. Dy vëllezërit e Hazbies mbërritën për pak minuta dhe e transportuan drejt spitalit, ku fatkeqësisht ndërroi jetë. Një prej goditjeve i kishte prekur zemrën, plagë që rezultoi fatale për 36-vjeçaren. Ndërkohë, sot policia e Durrësit gjeti të mbytur në det në sektorin Rinia 37-vjeçarin që tronditi opinionin publik me krimin e kryer.