Dy ditë pas ngjarjes së rëndë në Pogradec, autori i vrasjes së 65-vjeçarit, Safet Hyskollari, është ende në arrati. Krimi u regjistrua në fshatin Gështenjas pas konflikteve për një copë tokë midis fqinjëve.
Mes autorit dhe viktimës ka pasur konflikte të vazhdueshme verbale sa herë viktima kthehej me pushime nga SHBA-ja në fshatin e tij. Konfliktet sipas burimeve lidhen me punimet që viktima kryente në afërsi të shtëpisë. Konflikti i fundit është regjistruar pasditen mbrëmjen e së mërkurës, konflikt i cili ka përfunduar me vdekjen e 65-vjeçarit Hyskollari.
Gjatë ditëve të fundit, viktima ka kryer punime për zgjerimin e rrugës dhe vendosjen e disa tubave prej betoni. Autori pretendon pronësinë e ish-Kovaçhanës së fshatit ku ai ka punuar për shumë vite, godinë e cila ndodhet përballë banesës së viktimës. Autori Fatmir Manellari ka shkuar mbrëmjen e djeshme tek banesa private e viktimës duke e goditur disa herë me thikë sapo 65-vjeçari ka dalë nga dera. Policia nuk ka gjetur thikën, me të cilën Manellari qëlloi për vdekje bashkëfshatarin e tij i cili ndërroi jetë në spitalin e Pogradecit.