Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me drejtuesit e Drejtorive në 12 qarqe të vendit dhe me shefat e rendit dhe ata të krimeve, për ngjarjet kriminale në vend.

Mësohet se në fokus të takimit ka qenë marrja e masave të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.

Ndër të tjera Nano kërkoi nga vartësit e tij thellim të veprimeve hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Po ashtu ai kërkoi bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente.

Ndër porositë e Gledis Nano-s ishin edhe intensifikimi i kontrolleve në territor për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, bllokimin e automjeteve të vjedhura, si dhe kontrolle në varreza makinash apo servise, ku çohen mjetet që përdoren në ngjarje kriminale.

Drejtori i Policisë u ndal edhe te parandalimi i aksidenteve rrugore, duke kërkuar intensifikim të kontrolleve me makinë inteligjente, radarë, mjete të paloguara.

Gjatë muajit janar, në të gjitha drejtoritë pritet të zhvillohen analizat vjetore dhe për këtë drejtori ka kërkuar nga drejtuesit e DVP-ve, që të nxirren problematikat, me qëllim marrjen e masve për t’i zgjidhur ato.

Sot fillojnë në terren 443 kursanët e rinj, për të cilët Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga drejtorët vendorë, që t’i përkrahin dhe t’i motivojnë për të kontribuuar sadopak në përmirësimin e mëtejshëm të performancës së “bluve”.