Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po humbet gjithnjë e më shumë besimin se negociatat me Iranin mund të sjellin një paqe të qëndrueshme.
Sipas një raportimi të Wall Street Journal, kreu i Shtëpisë së Bardhë është gjithnjë e më i bindur se Teherani kupton vetëm “gjuhën e forcës ushtarake” dhe e ka përshkruar veten si në “modalitet hakmarrjeje” ndaj Iranit.
Burime të cituara nga gazeta amerikane bëjnë të ditur se besimi i Trump te një zgjidhje diplomatike është zbehur ndjeshëm ditët e fundit. Presidenti amerikan u është ankuar këshilltarëve të tij se është e vështirë të kuptohet se kush flet realisht në emër të udhëheqjes iraniane.
Sipas të njëjtave burime, Trump ka shprehur pakënaqësinë se, sa herë që Shtetet e Bashkuara besojnë se kanë bërë përparim në tryezën e bisedimeve, Irani rikthehet me veprime armiqësore dhe sulme, duke minuar përpjekjet diplomatike.
Raportimi i Wall Street Journal vjen në një kohë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët do të rikthehen në negociata apo do të përshkallëzojnë më tej përballjen.





