Shkodër, 27 gusht 2014 – “Hoteli është gati. Të pres”. Këto fjali në celularin e 32-vjeçares Rudina M., emigrante në Angli, çuan në pranga shefin e policisë në Velipojë, Ernest Paluku, shkruan “Panorama”.
Sipas kësaj gazete, babai i 6 fëmijëve, i cili prej gati një viti ishte emëruar në Postën e Velipojës, u arrestua me akuzën e ngacmimit seksual ditën e hënë, disa orë pasi kishte pritur në zyrë emigranten e dhunuar nga bashkëshorti.
Paluku, duke shfrytëzuar detyrën e tij funksionale, ka kërkuar favore seksuale nga shtetasja Rudina M., 32 vjeçe, banuese në Angli, e cila ishte paraqitur në Stacionin e Policisë Velipojë për të bërë një kallëzim për dhunë dhe keqtrajtim nga bashkëshorti i saj.
Gruaja është larguar nga zyra e Palukut dhe ka bërë denoncim pranë SHKB-së. Pasi kanë dëgjuar pretendimin e 32-vjeçares, punonjësit e SHKB-së i kanë kërkuar asaj që të shkonte edhe një herë tjetër në Stacionin e Policisë Velipojë e të takonte shefin e policisë, Ernest Paluku, të cilin e kishin vënë në përgjim. Pretendimi i gruas u vërtetua dhe Paluku, i cili prej vitesh ka qenë pjesë e radhëve të policisë, përfundoi prapa hekurave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





