Ish-zëvendësdrejtori i Hekurudhave në Durrës, Artur Mahmutaj, i arrestuar në Itali si i implikuar në trafikun e 75 kilogramëve kokainë dhe i dyshuar si pjesë e një bande narkotrafiku, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare.
Ai është mbajtur në paraburgim për 3 muaj, pas zbulimit të një laboratori modern droge në një magazinë, në vjeshtën e vitit 2015. Por 37-vjeçari është liruar sipas një vendimi të Gjykatës së Durrësit.
“DurrësLajm” zbardh vendimet e gjykatës të Durrësit për lirimin e shtetasit Artur Mahmutaj, pasi siç vlerëson gjykata, ai nuk është person me rrezikshmëri. Në vendim thuhet se vërtet vendi ku u gjet droga ishte në pronësi të Mahmutajt, por pas hetimeve është vlerësuar se ambientet nuk posedoheshin prej tij, por i ishin dhënë me qira shtetasit tjetër, Albano Gjini.
Për ta provuar këtë pretendim, vet i pandehuri ka paraqitur një kontratë qiraje që i përket dy viteve më parë, e siç thotë gjykata, ky fakt është pranuar edhe nga i dyshuari tjetër Gjini.
Me sa duket nga vendimi, me këtë pretendim të Mahmutajt ka qenë dakord edhe Prokuroria e Durrësit.
Mahmutaj u arrestua të hënën nga autoritetet italiane së bashku me shqiptarin tjetër, Nik Dauti 38-vjeçar, i njohur si “Besnik”, pasi dyshohet se janë drejtuesit e një bande të trafikut të kokainës. Arrestimi i tyre është bërë gjatë një operacioni në Itali i cili përfundoi me sekuestrimin e 75 kilogramëve kokainë në portin e Gjenovës, nga ku më pas do të shpërndahej më tej nëpër Itali.





