Zbardhen të tjera detaje rreth bllokimit të pajisjes elektronike të dyshimtë në Pikën Kufitare të Portit të Durrësit, për të cilën policia dyshon se shërben për përgjime të telefonave.

Sipas policisë, gjatë kontrollit të poseduesit të saj, shtetasit me iniciale G.I., 47 vjec me shtetësi italiane, iu gjet një aparaturë elektronike e dyshimtë, e cila është dërguar për ekzaminim në laboratorin shkencor. Shtetasi italian, i cili shoqërohej nga një femër, do të hetohet në gjendje të lirë.

Burime nga grupi hetimor thanë për “DurrësLajm” se 47-vjeçari kishte ardhur para pak ditësh në Shqipëri dhe mbrëmjen e së dielës po largohej drejt Italisë me tragetin e linjës Durrës-Bari. Por gjatë kalimit në Pikën Kufitare, policia zbuloi pajisjen e dyshimtë dhe shoqëroi në komisariat dy shtetasit italian, 47-vjeçarin dhe shoqëruesen e tij. Pas marrjes në pyetje, italiani është shprehur se është inxhinier uji, ndërsa kjo pajisje shërben për të matur cilësinë e ujit.

“Kam ardhur në Shqipëri pak ditë më parë dhe po largohem për në vendin tim. Kam ardhur bashkë me zonjën (shoqëruesen), pasi do të negocionim me nën firmë uji të pijshëm. Unë jam inxhinier ujërash dhe kjo pajisje nuk është ashtu si mendoni ju (për përgjime) por sherben për matjen e cilësisë së ujit. Mereni dhe verifikojeni. Është thjesh një pajisje që më shërben për profesionin tim që është inxhinier ujërash. Nuk kam të drejtë të jap më shumë shpjegime. Nuk ka rëndësi kush janë eprorët e mij. Siç ju thashë, jam inxhinier dhe kjo që po më ndodh këtu nuk është aspak normale. Nëse nuk njihni aparatet e matjes së cilësisë së ujit ky është problemi juaj. Unë dua të largohem menjëherë nga Shqipëria pasi unë dhe kolegia ime jemi shumë të irrituar me situatën e krijuar”, mësohet të jetë shprehur ndër të tjera për ekspertët e policisë 47-vjeçari.

Nga të dhënat e para, sipas policisë, italiani rezulton person i paskeduar nga policia italiane dhe nuk është në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Italiani me inicialet G.I nuk ka pranuar të tregojë se nga cili autoritet publik apo agjenci private është kontraktuar për të ofruar shërbimet e tij.

Ndërkohë policia po vijon hetimet për pajisjen që aktualisht është dërguar për ekspertizë në laboratorin shkencor.