Është zbardhur dëshmia e 37-vjeçarit, Ndue Zefi i cili mëngjesin e të dielës, ekzekutoi me 5 plumba fqinjin e tij, Martin Ndreca, në zonën e Ish-Kënetës së Durrësit.

Një ditë më parë, Zefi u vetëdorëzua në Policinë e Shkodrës nga ku u transferua në Durrës. Mësohet se autori ka dëshmuar se vrasja është kryer për çështje nderi.

37- vjeçari dyshonte se Martin Ndreca kishte marrëdhënie intime me një pjesëtar të familjes së tij, ndaj edhe ka qëlluar kundrejt tij, duke e lënë të vdekur në vend.

“Me Martinin kemi njohje të vjetër, sepse kemi jetuar në fshatin Adriatik për disa vite. E konsideroja njeri të besuar, por më preu në besë. Kisha dëgjuar llafe të ndryshme, që kanë të bëjnë me çështje nderi. Atë ditë (ditën e ngjarjes) shkuam për t’i kërkuar llogari për veprimet e tij, nuk u morëm vesh si njerëz pasi u soll në mënyrë arrogante, duke mos më lënë asnjë zgjidhje tjetër. U përplasëm fillimisht në lokal, pastaj edhe në vendin ku ndodhi krimi. Qëllova në drejtim të tij disa herë me vetëdije të plotë, pasi e kishte hak plumbin. Pasi konstatova se kishte vdekur, u largova me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Pak metra larg vendit të krimit hodha armën, me të cilën kreva vrasjen dhe u largova në drejtim të Pukës, në vendlindjen time, për t’u fshehur. Por vendosa të dorëzohem në Polici, sepse nuk kisha dëshirë të qëndroja i fshehur, por të përballem me drejtësinë”, mësohet të jetë shprehur Zefi.