Jorgo Goro, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u arrestua më 23 mars me urdhër të SPAK.
Ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, në dy episode, ku përfitues fundor i truallit, me një siperfaqe në total prej 10592 m2, ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish deputet i PS.
Pasi ka përfituar tokën, është pajisur me leje për ndertimin e nje kompleksi turistik.
Sakaq është zbardhur dëshmia e Goros, i cili ndodhet pas hekurave. Ai shprehet se ka vepruar për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes palëve.
“I pyetur se çfarë baze ligjore kishte shërbyer për të si kryetar bashkie, për të konturuar pasurinë me numër 36/35, deklaruesi është përgjigjur se ka ndërhyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shtetasve.
Kjo kompetencë, sipas deklaruesit, parashikohet në ligjin e vetëqeverisjes vendore dhe konkretisht në nenin 29 pika 3 të ligjit me nr. 139 vitit 2015, i ndryshuar me ligjin nr. 38/2019, datë 20.06.2019, i cili parashikon se në fushën e sigurisë publike, bashkitë janë përgjegjëse për garantimin e marrëdhënieve në komunitet, parandalimin dhe ndërmjetësimin për zgjidhjen e konflikteve në komunitet.
I pyetur në lidhje me shkresën nr. 2751/1datë 13.09.2016, nga Bashkia Himarë, drejtuar Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë Vlorë, ku është shprehur se në Z.K. 1739-Gjilek nuk është kryer procesi i regjistrimit të parë fillestar sistematik (menaxhim) dhe se nuk disponojnë (bashkia) harta treguese të regjistrimit (H.T.R.), duke mos mundur në këtë mënyrë të shprehen për juridiksionin dhe vendosjen e pronave, ndërsa më poshtë është shprehur mendimi se ka mbivendosje dhe se pronat e Haris Runa dhe Krenar Adilit ndodhen në zonë e konturuar me nr. 36/35, shtetasi Jorgo Goro është pērgjigjur se ka dhënë vetëm një mendim se ku mund të jetë prona e shtetasit Haris Runa dhe Krenar Adili, me qëllim zgjidhjen e konfliktit.
I pyetur nga është nisur për të dhënë një mendim për identifikimin me numër të pronës së shtetasve Haris Runa dhe Krenar Adili, deklaruesi shprehet se kërkesa me nr. 19555 prot., datë 07.09.2016 e Z. R.P.P. Vlorë nuk parashikon dhënie mendimi për konturimin e pronës së shtetasve Haris Runa dhe Krenar Adilit, pra ata si institucion kanë shkuar më tej në përgjigjen e tyre kur kanë dhënë mendim që pronat e këtyre shtetasve konturohen në pasurinë me nr 36/35”, thuhet në dosje.