Konflikti që ndodhi në qytetin e Lezhës më 11 prill 2025, ka çuar në arrestimin e dy shtetasve dhe shpalljen në kërkim të katër të tjerëve. Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Njësinë Shkodër, ndërhyri menjëherë pas marrjes së njoftimit për një përplasje fizike që ndodhi mesditën e datës 11 prill.

Pas hetimeve të thelluara dhe kqyrjes së pamjeve filmike, u zbardh e vërteta e ngjarjes, e cila kishte nisur për motive të dobëta dhe kishte përfshirë një konflikt të ashpër. Dy shtetasit e arrestuar, F. Gj., 34 vjeç dhe E. N., 37 vjeç, janë akuzuar për “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Ndërkohë, katër shtetasit e shpallur në kërkim, R. M. (20 vjeç), K. N. (20 vjeç), A. D. (15 vjeç) dhe A. M. (17 vjeç), akuzohen gjithashtu për “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ngjarja filloi kur F. Gj. dhe E. N. goditën me mjete të forta shtetasin R. M. Më pas, R. M. dhe tre shokët e tij e ndëshkuan F. Gj. duke e goditur me automjet dhe më pas me mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike.

Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Materialet janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Lezhës për veprime të mëtejshme.