Policia e Durrësit zbardh dinamikën e ngjarjes së rëndë të një dite më parë, kur pas një sherri për motive të dobëta, mbetën dy persona të vrarë dhe një tjetër u plagos, ndërsa ka arrestuar të mbijetuarin e vetëm të këtij krimi, shtetasin Eduart Xhaferri, 54 vjeç, banues në Durrës.
Veç përdorimit të thikës që u raportua fillimisht, në këtë ngjarje është përdorur edhe një armë gjahu nga ana e Xhaferrit, i cili ka qëlluar me të për vdekje 35-vjeçarin Lulzim Qama.
Sot, policia bën me dije se ka vënë në pranga Xhaferrin, i cili mbeti po ashtu i plagosur nga të goditurat me thikë nga ana e Qamës. “Më datë 23.05.2017, rreth orës 13:20, në fshatin Rrushkull, për motive të dobëta ka goditur më armë gjahu duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme shtetasin Lulzim (Qazim) Qama 35 vjeç, banues në Sukth i Ri, Durrës”, sqaron policia.
Qama godet i pari me thikë Shallarin, më pas Xhaferrin. Xhaferri i përgjigjet me Shotgun nga makina
Si pasojë e një konflikti çasti për motive të dobëta, ka qenë viktima Lulzim Qama ai që ka goditur fillimisht me thikë shtetasin Yzedin Shallari 65 vjeç, banues në Durrës, i cili ndërroi jetë më vonë në Spitalin Rajonal Durrës.
Më pas shtetasi Lulzim Qama ka goditur me thikë edhe Eduart Xhaferrin, ku ky i fundit ka marrë armën e gjahut tip Shotgan 5, kalibri 12 mm, të cilën e kishte në mjetin e tij dhe ka qëlluar shtetasin Lulzim Qama, nga brenda mjetit të tij tip “Nissan”.
Eduart Xhaferri në momentin që është goditur me thikë nga Lulzim Qama ka qenë brenda mjetit tip “Nissan”, ku edhe menjëherë ka marrë armën e gjahut dhe ka goditur L.Qamën.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provave materiale mjetet e kryerjes së krimit arma e gjahut tip Shotgun dhe thika.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja me dashje”.
S.L.





