Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e sotme në Spitalin Atikon, në Greqi, ku 59-vjeçari shqiptar, Petro Çako sulmoi me thikë një infermiere dhe më pas u hodh nga kati i katërt i spitalit, duke ndërruar jetë.
Mësohet se 59-vjeçari shqiptar kishte dosje të pastër dhe kurohej vetëm për kirurgjinë në pneumotoraks dhe se nuk kishte sëmundje psikike.
Infermierja e dytë e turnit të natës, që u përpoq të ndalojë krimin, duke kapur pas krahëve shqiptarin, e duke hedhur thikën larg për pak sekonda, ka deklaruar se pacienti Çako “kurohej për një javë dhe për pak do të dilte nga spitali. Ishte një njeri shumë i sjellshëm dhe i komunikueshëm, nuk kishte asnjë problem, asnjëherë. Nuk kishte arsye të sulmonte njeri dhe nuk e dimë përse vrau veten.”
59-vjeçari ka goditur disa herë me thikë në trup infermieren 32-vjeçare greke, ndërsa ka kërcënuar edhe pacientët e tjerë që ndodheshin në dhomë, të cilët janë zgjuar të terrorizuar nga ulërimat e të resë. Fatmirësisht, infermierja është jashtë rrezikut për jetën, por ka shumë plagë në të gjithë trupin.





