DURRËS, 5 nëntor 2014 – Sherri i nisur mes Kostandin Xhuvanit dhe Edison Jahos u bë shkak që gjithçka të përfundonte në një tragjedi me 4 të vrarë në lokalin e natës “Ante Grand” tek “Rruga e Elbasanit” në Tiranë. Burime nga grupi i hetimit pranë prokurorisë kanë thënë se mes këtyre të dyve ka patur në fillim një bisedë për çështje ende të paqarta, por që më pas ka përfunduar me kacafytjen e të dyve. Më pas, Xhuvani ka marrë armën dhe i është drejtuar Jahos duke e qëlluar atë disa herë në kokë, por plumbat kanë dalë dhe kanë qëlluar personat e tjerë.
Ekspertiza
Zbardhet ekspertiza e 4 vrasjeve në lokalin e natës “Ante Grand” në Tiranë. Nga kqyrja e trupave të viktimave ekspertët kanë arritur në përfundimet se të gjitha të shtënat kanë patur si objektiv 36 vjeçarin Edison Jaho. Sipas raportit mjeko-ligjor mësohet se Jaho ka marrë 6 plagë, pothuajse të gjitha në kokë. Tre viktimat e tjera kanë vetëm nga një goditje me armë çka ka krijuar bindjen ,tek ekspertët se ata janë goditur nga plumbat që kanë tejshpuar Jahon.
Miku i Jahos, 38-vjeçari Enea Xhaj është qëlluar në qafë, 19- vjeçari Arbër Demiri është goditur në gjoks dhe po kështu me një plumb të vetëm është qëlluar italiani Gianpaolo Azzolo, 55 vjeç i cili është prekur nga plumbi në krah dhe më pas, ai ka hyrë në kraharor.
/lapsi.al/





