26 shtator 2013- Zbardhen vendimet më të fundit të qeverisë Rama lidhur me funksionimin dhe financimin e ministrive të reja, të krijuara si pasojë e reformës qeveritare. Sipas VKM-së, Ministria e Energjisë dhe Industrisë harton dhe zbaton politika që synojnë garantimin e furnizimit me energji të vendit, shfrytëzimin e burimeve energjetike e minerare në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe dobishmërisë publike, si dhe nxitjen e zhvillimit industrial me standarde sa më miqësore për mjedisin. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës: Sektorin e energjisë elektrike;  Sektorin e hidrokarbureve (naftë dhe gaz);  Sektorin e minierave dhe gjeologjisë dhe Sektorin e industrisë joushqimore.

Ndërsa Ministria e zhvillimit ekonomik, tregtisë dhe sipërmarrjes harton dhe zbaton strategjinë e politikave për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik, programimit strategjik dhe monitorimit të investimeve publike për të gjitha institucionet qendrore në vend. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes përfaqëson dhe mbron interesat e shtetit brenda fushës së përgjegjësisë, sipas ndjekjes së procedurave për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe rajonale dhe ndërkombëtare me organizma dhe organizata ku Shqipëria është palë aderuese.

Përsa i përket shpenzimeve më të domosdoshme për funksionimin e kabineteve të institucioneve të reja përballohen nga buxheti i aparatit të Kryeministrisë, miratuar për këtë vit. Fondet për shpenzimet e domosdoshme të përdoren për “shpenzime personeli” për stafin shtesë të kabineteve, gjithsej 22 veta, do të dallohen nga numri i punonjësve rezervë të Këshillit të Ministrave dhe për shpenzime të tjera operative.

 

http://www.sot.com.al/politike/zbardhet-funksionimi-dhe-financimi-i-ministrive-t%C3%AB-reja