TEPELENE, 7 tetor 2013 – Zbardhet grabitja e dy të moshuarve në Tepelenë, Policia vë në pranga dy të dyshuar.
Vëllezërit Sali dhe Hydajet Hoxha 80 dhe 82 vjeç janë dhunuar dhe grabitur për të dytën herë në fshatin Arrëz e Madhe në Tepelenë.
Policia ka vënë në pranga për këtë ngjarje, Orjan Shehun, 26 vjeç dhe Emiljano Shehun, 18 vjeç.
Sipas policisë, grabitësit, pasi i kanë dhunuar në banesë u kanë marrë atyre edhe një shumë të hollash.
Të moshuarit janë në gjendje të rëndë në spital si pasojë e plagëve që kanë marrë.
Vëllezerit Hoxha janë grabitur gjithashtu edhe natën e 24 korrikut, një ngjarje për të cilën vijon të jetë në burg 24-vjeçari M.Shehu.
Sipas policisë, dhunuesit u kanë bërë presion vëllezërve të moshuar që të tërheqin denoncimin për M.Shehun.
Dy vëllezërit Hoxha jetojnë të vetmuar në të njëjtën banesë.





