Me fitoren 2-1 të Partizanit në derbi u mbyll java e 22-të e kategorisë Superiore që deri diku nuk prodhoi rezultate surprizë, sepse ndalesa e Kukësit përballë një kundërshtari të vështirë si Laçi pritej, ndërkohë që fitorja e Teutës në Vlorë edhe pse bëri bujë të madhe nuk mund të konsiderohet surprizë pasi bëhej fjalë për një duel të drejtëpërdrejtë në garën për mbijetesë. Por raundi i 22-të i kampionatit i lë rradhën, javës së 23-të që do të luhet në dy ditë, të shtunën dhe të dielën.

Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar kalendarin dhe supersfida e kësaj jave që është një përballje direkte për titullin mes Kukësit dhe Partizanit do të luhet të dielën në orën 14 në "Zeqir Ymeri". Por përpara kësaj ndeshjeje do të luhen tre takime të tjera. Kështu të shtunën në orën 14.00, Luftëtari pret në Gjirokastër, Laçin në një sfidë që nëse bluzinjtë e Mladen Milinkovic e fitojnë do të hidhnin një hap të sigurtë drejt mbijetesës, sepse diferenca mes Luftëtarit dhe kurbinasve në klasifikim do të shkonte në plot 10 pikë. Po në orën 14.00 të së shtunës, Teuta pret në "Niko Dovana", Korabin në një ndeshje që duket me vetëm një drejtim. Djemtë e Detit do të kërkojnë konfirmimin pas barazimit ndaj Partizanit dhe fitores shumë të rëndësishme në Vlorë ndaj Flamurtarit, përballë një Korabi që është dorëzuar përpara kohe me mbijetesën që është shndërruar në një mision të pamundur për skuadrën dibrane.

Në orën 17.00 në "Loro Boriçi" luhet një nga sfidat më interesante të kësaj jave, pasi Vllaznia pret Skënderbeun. Ilir Daja do të kërkojë ta çojë në 5 numrin e fitoreve radhazi në kampionat me korçarët të cilët i kanë fituar 4 ndeshjet e para me trajnerin e ri në stol madje pa pësuar gol. E diela e Superiores nis me një sfidë që mund të përcaktojë shumë përsa i përket fateve të titullit kampion. Kukësi pret Partizanin në një ndeshje ku një fitore e mundshme e verilindorëve do të pakësonte ndjeshëm shanset e skuadrës kryeqytetase për të fituar titullin kampion, sepse diferenca në klasifikim mes këtyre dy skuadrave do të shkonte në plot 7 pikë. Por në rast të një suksesi të të Kuqëve të Sulejman Starovës, gara për titullin do të ashpërsohej akoma edhe më shumë dhe do të bëhej më e bukur.

Java e 23-të mbyllet me një takim delikat. Në orën 17.00 në "Selman Stërmasi", Tirana sfidon Flamurtarit në një sfidë mes dy skuadrash në krizë që kërkojnë shpëtim pikërisht në këtë ndeshje. Nëse bardhebluve do t'u bënte punë edhe një barazim, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Flamurtarin e Shpëtim Duros që aktualisht pozicionohet i parafundit me një pikë më pak se Laçi i vendit të 8-të.