6 shtator 2015 – Prokuroria e Përgjithshme ka zbardhur kërkesën që i ka drejtuar Kuvendit për të autorizuar arrstimin e deputetit Armando Prenga. Në kërkesë zyrtarizohet dilema se çfarë arme ka përdorur deputeti Prenga. Nuk ka përdorur armën, të cilën e kanë pajisur me leje organet kompetente, por një armë tjetër zjarri tip pistoletë, pa leje.
Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, argumenton në kërkesë se përse Prenga është shkelës i ligjit për 3 veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Kanosje”,
Njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme:
“Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për arrestimin e shtetasit Armando Prenga, me funksionin “Deputet”, i dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Kanosje”, të parashikuara nga nenet 278/4, 88, 84 e 25 të Kodit Penal.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, është shprehur se, nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, rezulton se deputeti Prenga dyshohet se ka konsumuar elementët e veprave penale të sipërcituara gjatë një konflikti me disa shtetas të tjerë, ngjarje e ndodhur në mesnatën ndërmjet data 04.09.2015-05.09.2015, në qytetin e Laçit.
Gjithashtu, në kërkesën për autorizimin e arrestimit, theksohet gjithashtu se deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Armando Prenga dyshohet se ka kryer vepra penale me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe që parashikohen si krim nga Kodi Penal.
Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore, Prokuroria e Përgjithshme ka krijuar dyshimet e arsyeshme për kryerjen e veprave penale nga ana e deputetit Prenga, në bazë të argumentave si më poshtë:
– Me veprimin e tij të mbajtjes dhe përdorimit të armës së zjarri tip pistoletë, armë kjo tjetër nga ajo për të cilin është pajisur me leje nga organet kompetente, gjatë konfliktit të ndodhur në mjedisin publik para Komisariatit të Policisë Laç, deputeti Armando Prenga ka konsumuar elementët e veprës penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/4 Kodit Penal.
– Me veprimin e tij të dëmtimit me armë të shëndetit të shtetasit T.C, duke qëlluar mbi të, deputeti Armando Prenga ka konsumuar elementët e veprës penale “Plagosje e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88 i K.Penal.
– Me veprimin e tij të nxjerrjes dhe drejtimit të armës ndaj shtetasve që shoqëronin shtetasin GJ.C. para Komisariatit të Policisë Kurbin, me bashkëpunimin e disa shtetasve të tjerë, deputeti Armando Prenga ka konsumuar elementët e veprës penale “Kanosje”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 84 e 25 i K.Penal
Për këtë arsye, me qëllim për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm nga Prokuroria, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, kërkohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhënia e autorizimit për arrestimin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Armando Prenga.”
/portali DurresLajm/