18 shtator 2013- Kryeministri Rama publikon Kodin Etik. Rregullat etike të këtij Kodi janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave.Kodi Etik i Qeverisë Rama, kërkon nga ministrat respektim të demokracisë; respektim të qytetarëve, duke e trajtuar çdo qytetar të barabartë përballë ligjit; integritet përballë interesit publik, duke mos avantazhuar veten për shkak të postit publik; përgjegjshmëri në përdorimin e fondeve dhe detyrave publike; përmirësim të njohurive dhe dijeve të tyre profesionale, të cilat i zbatojnë në punën e përditshme; kujdesi për të krijuar frymë ekipi dhe pune në grup në kabinetin qeveritar.
Kodi i Etikës ishte një nga pikat e kartës së parimeve në marrëveshjen e nënshkruar mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, në kuadrin e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”.
Parime të përgjithshme
1. Parimi i ligjshmërisë. Anëtari i Këshillit të Ministrave, duhet të zbatojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe legjislacionin e brendshëm, në përputhje me kompetencat që ai mbulon dhe, sipas rastit, si pjesë e vendimmarrjes në organin kolegjial apo individual.
2. Parimi i besueshmërisë dhe solidarësisë. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të respektojë vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të ofrojë mbështetjen e tij në publik për të gjitha vendimet e qeverisë, pavarësisht nëse ai ka marrë pjesë ose jo në mbledhje apo nëse ka votuar “pro” ose “kundër” këtij akti.
3. Parimi i mosdiskriminimit. Anëtari i Këshillit të Ministrave, gjatë ushtrimit të funksionit, me veprimet ose mosveprimet e tij, nuk duhet të favorizojë apo të diskriminojë një subjekt të caktuar për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, bindjes politike, fetare ose filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzanisë, përkatësisë prindërore, përgjegjësisë prindërore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes civile, vendbanimit, gjendjes shëndetësore, predispozicioneve gjenetike, aftësisë së kufizuar, përkatësisë në një grup të veçantë ose për ndonjë shkak tjetër të ngjashëm.
4. Mos abuzimi me funksionin. Anëtari i Këshillit të Ministrave e ushtron funksionin dhe kompetencat e tij vetëm për qëllimin që ato i janë dhënë nga legjislacioni në fuqi. Ai duhet të shmangë përdorimin e funksionit të tij për qëllime, të cilat nuk kanë bazë ligjore apo nuk janë të motivuara nga ndonjë interes publik.
5. Paanshmëria, ndershmëria dhe pavarësia. Anëtari i Këshillit të Ministrave në ushtrimin e funksionit të tij duhet të jetë i paanshëm, i drejtë, i arsyeshëm dhe i pavarur. Ai duhet të shmangë çdo veprim, mosveprim arbitrar apo çdo trajtim preferencial, si dhe të jetë i pandikuar nga çdo interes tjetër, personal, politik, familjar dhe shoqëror.
6. Objektiviteti. Anëtari i Këshillit të Ministrave, gjatë ushtrimit të funksionit të tij, duhet të marrë në konsideratë faktorët përkatës dhe t’i japë secilit prej tyre peshën e duhur në qëndrimin përfundimtar, duke përjashtuar çdo element që nuk i përgjigjet procesit konkret të punës.
7. Transparenca dhe llogaridhënia. Anëtari i Këshillit të Ministrave, nëse e kërkon interesi publik dhe kur kjo nuk është në kundërshtim me ligjin, informon dhe përgjigjet kur është rasti për të gjithë veprimtarinë e tij si funksionar publik.
8. Konflikti i interesit. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të parandalojë, si dhe të marrë të gjitha masat për ndërprerjen e gjendjes së konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave të tij privatë.





