Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme (13 maj 2018) në bulevardin "Bajram Curri" ku pati të shtëna me armë zjarri.

Policia bën me dije se në konflikt janë përfshirë tre të rinj, A. Gj 22 vjeç, Xh. H 23 vjeç dhe A. B 25 vjeç. Ky i fundit është qëlluar me armë zjarri nga dy të parët, ku ka marrë një gërvishtje të lehtë në kofshën e djathtë.

"Ditën e djeshme rreth orës 21:10, në bulevardin "Bajram Curri" pas një konflikti për motive të dobëta, këta dy shtetas kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin A. B., 25 vjeç, banues në Tiranë, (i cili ka pësuar një gërvishtje të lehtë në kofshën e djathtë) dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me mjetin tip "Opel" në përdorim të shtetasit M.Gj", informon policia.

Uniformat blu kanë shpallur në kërkim dy të rinjtë për veprën penale "Vrasje me dashje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim".

Ndërkohë kanë vënë në pranga pronarin e makinës M. Gj.23 vjeç, për përkrahje të autorit në krim. Ky shtetas ka ndihmuar dy autorët të largohen nga vendi i ngjarjes me mjetin tip "Opel".

Në vendngjarje janë gjetur 3 gëzhoja të qitura nga armë zjarri e llojit pistoletë të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. B., 25 vjeç ( i dëmtuari ), pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu gjet 0.8 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë për veprime të mëtejshme.