Një 69-vjeçar, i cili mbrëmjen e së mërkurës u gjet i plagosur në shtëpinë e tij në lagjen “Rilindja” të Vlorës, gjeti vdekjen në spital. Ngjarja u njoftua te policia nga nipi i të moshuarit, por sipas asaj që rezulton këtë mëngjes, është ai autori i kësaj vrasjeje.
Ky i fundit e njoftoi policinë rreth orës 20:40. Ai deklaroi se e kishte gjetur derën e shtëpisë të hapur, gjyshin të gjakosur dhe se grabitësit kishin marrë 1 milion lekë.
Madje pas kësaj, me gjakftohtësi, ai dha edhe intervistë në media. Por gjatë natës 69-vjeçari ndërroi jetë në spital dhe ekspertiza zbuloi se ai ishte qëlluar me plumb pistolete pas koke.
Personi që kishte dashur ta grabiste, e në tentativë e sipër e kishte qëlluar të moshuarin me armë, ishte pikërisht nipi. Ai mësohet se e ka pranuar vrasjen përpara autoriteteve policore dhe u ka treguar se ku e kishte fshehur armën e krimi. Nipi jetonte në një shtëpi me viktimën, pasi prindërit i kishin humbur jetën në një aksident.





