Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla, njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i PSsë, nuk kurseu kritikat ndaj drejtuesve politikë në qarqe, të cilët janë dhe ministra, për punë të dobët në zgjedhjet në parti.

Duke folur në Asamblenë Kombëtare, Balla tha se janë toleruar anëtarë të Asamblesë, që të mos përfshihen në zgjedhjet në PS, duke dëmtuar marrëdhënien me strukturat e partisë dhe zgjedhësit.

“Kemi anëtarë të kësaj asambleje që nuk kanë pasur fare prani në organizatat ku kanë qenë të deleguar dhe nuk kanë ushtruar detyrën e tyre si pjesë e këtij forumi të lartë. Pse?! Mund të ketë secili psenë e tij, por pseja ime është shumë e thjeshtë: Sepse ne e kemi toleruar këtë neglizhencë në të shkuarën dhe kjo tolerancë është kthyer në dobësi organizative deri në këtë nivel”, tha Balla.

Sipas tij, nëse ministrat kanë shumë ngarkesë në detyrat e qeverisë, të mos mbajnë dhe postin e drejtuesit politik të qarkut.

emrat sekretar asamble

SEKRETARIATI

Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla, propozoi dy sekretarë të rinj ekzekutivë pranë kryesisë së PS-së. Ai riktheu sekretarin për marrëdhëniet me Jashtë dhe sekretarin Elektoral.

Balla u shpreh i pakënaqur nga puna e sekretarëve aktualë. “Dua të jem i hapur me ju, se jo i gjithë grupi i sekretarëve ka punuar me efikasitetin e plotë, që kërkon funksioni i ngarkuar nga Asambleja. Por unë dua t’i kërkoj Asamblesë, që sekretariatit aktual t’i jepet një mundësi e dytë.

Njëkohësisht, dua që bashkë me kryetarin e Partisë t’i propozojmë Asamblesë Kombëtare që detyrën e sekretarit për Marrëdhënie Ndërkombëtare t’ia besojmë shoqes Teuta Voda. Ndërsa shokut Bledi Çuçi t’i besojmë detyrën e sekretarit për Çështjet Zgjedhore”, tha Balla.

Sipas tij, Blerina Gjylameti do të vazhdojë detyrën si sekretare për Koordinimin Elektoral, detyrë që e ka kryer më së miri dhe, që përgjatë këtij viti përgatitor për zgjedhjet lokale, merr një rëndësi të veçantë.

Marrë nga "Panorama"