Mes emrave të PS, edhe 6 deputetë. Luan Duzha që iu bashkua LSI financoi fushatën e PR. PD s’ka dorëzuar ende raportin.
PS deklaron se ka shpenzuar 1.87 milionë lekë për 23 qershorin. Biznesmenët që financuan PS, LSI, PR e FRD. Duzha, 1500 USD për PR.

22 tetor 2013- Partia Socialiste e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka harxhuar për realizimin e fushatës zgjedhore të 23 qershorit, 187 milionë lekë, ose 1.87 milionë USD. Po forca kryesore e së majtës nga këto zgjedhje ka arritur të shlyejë vetëm 80 milionë lekë të rinj, ndërkohë që mbetet debitor për 107 milionë lekë të papaguara. Kurse Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës ka harxhuar për fushatën elektorale rreth 47 milionë lekë të rinj ose 470 mijë USD. Këto janë gjetjet e auditëve të pavarur, të cilët kanë verifikuar shpenzimet financiare të të gjitha partive që morën pjesë në zgjedhjet e qershorit. Në KQZ nuk është dorëzuar ende raporti i auditimit financiar të Partisë Demokratike dhe të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ndërkohë në raportin e financave të Partisë Republikane, të kryesuar nga Fatmir Mediu, bie në sy fakti se janë shpenzuar në total 19 milionë lekë ose 190 mijë USD. Fryma e re Demokratike e Bamir Topit ka shpenzuar në zgjedhjet e para si forcë politike rreth 40 mijë euro, të cilat i ka siguruar nga donacione private, pasi nga buxheti i shtetit nuk mori asnjë fond. Kurse Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules ka shpenzuar në këto zgjedhje 66 mijë dollarë ose 6.8 milionë lekë të rinj të ardhura, të cilat i ka siguruar nga fondet vjetore të buxhetit të shtetit.

Donatorët
Partia Socialiste, sipas raportit të auditit Neshat Naze, ka mbledhur donacione nga 52 individë, për të cilët rezulton se 6 prej tyre janë deputetë të PS-së. Ndërsa pjesa tjetër kandidatë për deputetë dhe anëtarë të Kryesisë së PS-së. Dhe dy donatorë që kanë dhuruar 1.8 milionë lekë të rinj karburant. Po ashtu nga shpenzimet e PS-së bie në sy fakti se kompania, e cila ka programuar fushatën dhe konsulencën politike, “Kondiment Group GMbH”, ka përfituar në total 7.8 milionë lekë. Ndërkohë që LSI e Ilir Metës në këto zgjedhje ka arritur të mbledhë një total prej 25 milionë lekësh dhe në raport janë vetëm dy donatorë, Rexhep Ballmi që ka dhuruar 200 mijë lekë dhe Aldit Tabaku, 750 mijë lekë. Ndërsa nga emrat e donatorëve të Partisë Republikane, bie në sy emri i deputetit të Elbasanit i larguar te LSI, Luan Duzha, i cili ka dhuruar rreth 150 mijë lekë gjatë fushatës, kurse deputeti i Tiranës, Ylli Shehu, ka dhuruar 200 mijë lekë. Ndërkohë që dy forcat e tjera, FRD dhe PBDNJ, në raportin e auditëve nuk bëjnë me dije emrat e donatorëve.

Kritika ndaj FRD
Ekspertja që ka realizuar auditin e shpenzimeve të Frymës së Re Demokratike, Vullnetare Hoxha, ka kritikuar FRD-në për mangësi në dokumentacion. “Të gjitha shpenzimet janë bërë nga arka dhe jo nëpërmjet llogarisë bankare. Do të ishte mirë që në të ardhmen veprimet të kryhen nëpërmjet llogarisë bankare”, thuhet në raportin ku evidentohen mangësi në mbajtjen e dokumentacionit.

 

/panorama/