28 janar 2014 – Kristalizohet më tej aleanca e paralajmëruar midis kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, aleancë e cila po konturohet si lëvizje e re politike kundër linjës së fuqishme dhe të nëndheshme Berisha-Meta-Basha. Ndërsa Ilir Meta po fuqizohet me shpejtësi, duke peshkuar dhe mbledhur dezertorët e së djathtës në piramidën e administratës, Edi Rama ka nisur lëvizjet për të ndalur zgjerimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim si dhe për t’i paraprirë një krisje të mundshme koalicionit. Në një kohë kur pas perdes së arenës politike po “mprehen thika” dhe thuren intriga, Rama po forcon pozitat duke konkretizuar një bashkëpunim strategjik me Bamir Topin, i cili është një faktor me peshë në politikë. Disa ditë pas mandatimit të Taulant Ballës dhe Sali Shehut për modalitetet e përfshirjes së FRD në qeverisje, zbardhen detaje të tjera rreth marrëveshjes politike Rama-Topi në darkën e famshme të së mërkurës. Sipas burimeve brenda PS, Fryma e Re Demokratike do të marrë Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, në këmbim të rreshtimit në krah të PS në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare. Ndërsa Komisioni i Ligjeve dhe Komisioni i Sigurisë kanë paralajmëruar shkarkimin e titullares së ILKDP, Zana Xhuka dhe hetimin e largimin nga detyra të kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika, dy institucionet në fjalë pritet të drejtohen nga përfaqësues të FRD. Madje, po sipas burimeve brenda PS, Gazmend Oketa, krahu i djathtë i Bamir Topit në FRD, pritet të marrë drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Oketa është sot figura me konsensusin më të gjerë në Shqipëri për t’i besuar institucionin më kompleks, misterioz dhe të rëndësishëm në Shqipëri. Oketa gëzon mbështetjen e fortë të amerikanëve, Brukselit, disa eksponentëve të PD, të Topit dhe të kryeministrit Rama. Nuk dihet se si do të kapërdihet dhe përjetohet kjo marrëveshje nga LSI, aleatja më e madhe, por edhe më dyshimta, e PS.
FRD merr 4 drejtori
Fryma e Re Demokratike, përpos ILDKP dhe SHISH, pritet të marrë edhe katër drejtori të përgjithshme në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Ekonomisë dhe në Ministrinë e Energjetikës. FRD pritet të propozojë së shpejti katër përfaqësues për në drejtoritë në fjalë, ndërsa shumë anëtarë të saj, do të akomodohen në administratë. Po ashtu, marrëveshja parashikon që Topi ta marrë edhe disa drejtori të pyjeve dhe bujqësisë në disa rrethe të vendit. FRD do të përfaqësohet edhe në poste të rëndësishme diplomatike. Daut Gumeni pritet që së shpejti të emërohet në shërbimin e jashtëm.
Takimi i dy janarit
Darka e fundit Rama-Topi, e cila ka turbulluar ujërat e politikës shqiptare, është produkt i takimeve, negociatave dhe komunikimeve intensive të mëparshme. Mediatizimi i darkës së fundit u bë qëllimisht, pas një tjetër darke të fshehtë dhe më personale midis Edi Ramës dhe Bamir Topit. Sipas burimeve, Bamir Topi dhe Edi Rama kanë zhvilluar një takim kokë më kokë në datën dy janar në vilën e Bamir Topit. Në takim, i cili ka zgjatur disa orë, është piketuar dhe projektuar edhe aleanca e re politike.
http://www.sot.com.al/politike/zbardhet-marr%C3%ABveshja-rama-topi-frd-merr-ildkp-shish-dhe-4-drejtori-t%C3%AB-p%C3%ABrgjithshme-oketa-n%C3%AB





