2 gusht 2015 – Zbardhen detaje të reja mbi masakrimin e 21-vjeçarit shqiptar, Daniel Xhafa, i cili u vra pak ditë më parë në Greqi në rrethana misterioze.

Raporti mjeko-ligjor konfirmon se i riu u torturua për vdekje, çka i solli shumë thyerje kockash, në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit të tij, shkruajnë mediat greke.

Por, agresori nuk u ndal me kaq. Pasi e ka rrahur për vdekje, autori e ka tërhequr zvarrë deri në afërsi të një lumi dhe i ka vënë flakën trupit të pajetë në organet gjenitale. Trupi i viktimës u gjet gjysmë i djegur, pasi u zbulua nga një bari i zonës, edhe ai shqiptar.

Shkak i ngjarjes dyshohet xhelozia për një lidhje dashurie mes viktimës dhe bashkëshortes së autorit të krimit. Kjo lidhje kishte gati 2 vjet, sipas familjarëve të Daniel Xhafës. Ndonëse ky i fundit donte që të shkëputej, ishte 25-vjeçarja nga Korça, e cila nuk e linte. Ajo është nënë e 3 fëmijëve dhe megjithëse jetonte në Greqi me burrin dhe fëmijët, kishte pranuar që të lidhej me 21- vjeçarin nga Fieri.

Familjarët nuk kanë dyshime në lidhje me autorin e vrasjes, ai është vrarë nga bashkëshorti i gruas me të cilën ai kishte lidhje intime. Por policia greke nuk ka mundur ta identifikojë atë dhe nuk ka asnjë të ndaluar.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/