Një 27-vjeçar u plagos me armë zjarri mëngjesin e djeshëm, në parkingun e një hoteli që ndodhet pranë Akademisë së Sigurisë në Tiranë.
Burimet nga Policia thanë se autori i dyshuar i ngjarjes ishte 25-vjeçari Ndue Ndoj, një efektiv i Policisë Rrugore të Lezhës, që ndiqte kursin për ngritje në gradë në Akademi.
Ndërsa personi i plagosur, shtetasi Ervis Murati, 27 vjeç, u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në konfliktin që nisi rreth orës 07:30 të mëngjesit në barin e hotelit, dyshohet se u përfshinë 4 persona: efektivi 25-vjeçar bashkë me 3 persona të tjerë, njëri prej të cilëve i plagosuri.
Pas konfliktit ata kanë zbritur që të sqarohen në parking, ku dhe Ndue Ndoj është sulmuar fizikisht nga 3 personat dhe në sherr e sipër i ka marrë armën nga dora njërit prej tyre.
Paraprakisht dyshohet se arma mund të jetë shkrepur aksidentalisht dhe një plumb e ka goditur në bark shtetasin Ervis Murati. Ndërsa në këtë moment, i dyshuari si autor i ngjarjes është larguar për t’u vetëdorëzuar rreth 2 orë më pas në Komisariatin Nr.1.
Ai ka sqaruar para kolegëve se ngjarja kishte ndodhur në kushtet e vetëm brojtjes dhe arma është shkrepur aksidentalisht, gjatë kohës që ai po ia hiqte nga dora personit tjetër. Nga ana tjetër, i plagosuri ka refuzuar të japë shpjegime në Spitalin e Traumës, në kohën që oficerët e Policisë kanë shkuar për të marrë dëshminë e tij.
HETIMI
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur për një sherr të mëparshëm, që vëllai i efektivit Ndue Ndoj ka pasur me njërin nga personat e tjerë të përfshirë në konflikt. Të tre këta persona kanë shkuar mëngjesin e djeshëm pranë Akademisë së Sigurisë për të takuar 25-vjeçarin Ndoj.
Ky i fundit, me detyrë efektiv i Policisë Rrugore të Lezhës, me gradën inspektor, po ndiqte kursin për gradën nënkomisar. Pasi ka pirë kafe në barin e hotelit që ndodhet pranë Akademisë, mes 4 personave ka nisur një debat me tone të ashpra dhe kanë zbritur në parking ku ka ndodhur edhe përleshja mes tyre.
Policia ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për shkaqet apo vetëdorëzimin e efektivit, i cili mund të arrestohet për plagosjen e shtetasit Ervis Murati. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ai është mbajtur në ambientet e Komisariatit Nr.1, ku është marrë në pyetje edhe nga oficerët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, që tashmë kanë nisur hetimet për ngjarjen. /Panorama





