Kallëzim për Imamin dhe 4 ish-zyrtarë. Kodheli: Aferë korruptive.Kodheli, padi në Prokurori Imamit për spotet televizive.
Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet për 1 milion USD abuzime.
10 dhjetor 2013- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka paditur në Prokurori paraardhësin e saj, Arben Imami, për një dëm ekonomik 1 milion dollarë të shkaktuar nga prodhimi dhe transmetimi i tri spoteve televizive.
Në një deklaratë për mediat, nga podiumi i Kryeministrisë, Kodheli akuzoi Arben Imamin dhe katër ish-nëpunës të Ministrisë së Mbrojtjes për tri vepra penale që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës. “Sot, Ministria e Mbrojtjes depoziton në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe disa ish-punonjësve të kësaj Ministrie, për konsumin e veprës penale ‘shpërdorim detyre’, ‘shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti’, si dhe ‘shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik’, të parashikuara këto në nenet 248, 256 dhe 258 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Kodheli. Ky është rasti i parë kur një ministër i maxhorancës së re depoziton një padi penale për paraardhësin e saj për abuzime me fondet publike. “Mund t’ju them se nuk është aspak komode për mua dhe as për bashkëpunëtorët e mi për këtë veprim ndaj paraardhësit tim, por ju siguroj se kjo është gjëja e vetme që duhet të bëja në kushtet e të ndodhurit përpara këtyre fakteve dhe provave të pamohueshme”, tha Kodheli dje gjatë komunikimit me mediat. Bazuar në këto tri nene të Kodit Penal, të akuzuarit, nëse gjenden fajtorë ndaj akuzave të ngritura, mund të dënohen nga një gjobë që varion nga 300 mijë deri në 1 milion lekë ose me burgim që varion nga 3 vjet deri në 7 vjet. Përveç ish-ministrit, dosja i është dorëzuar organit qendror të hetimit edhe për katër vartës të tij, konkretisht ish-drejtorin e shërbimeve mbështetëse Shkëlqim Berisha, këshilltarin për Median Mentor Beqa, nëndrejtorin e Qendrës së Kulturës dhe Botimeve të Mbrojtjes Sokol Nezirajn, si dhe Nilka Sinën, shefe e Logjistikës në Qendrën Kulturore të Ministrisë së Mbrojtjes.
http://www.panorama.com.al/2013/12/10/zbardhet-padia-e-kodhelit-per-imamin-1-milion-usd-abuzime-me-spotet-televizive/





