Policia ka zbardhur plagosjen e dy vëllezërve në Shkodër, ku shkak dyshohet se ka qenë një konflikt për çështje pronësie.

Nga burimet zyrtare mësohet se fillimisht ka pasur përplasje fizike, ku si pasojë ka mbetur i dëmtuar me sende të forta një 34-vjeçar dhe më pas sherri ka agravuar në përdorimin e armës.

“Më datë 08.09.2021, rreth orës 09:15 në Fshatin e Ri, Njësia Administrative Rrethinat,  Shkodër, gjatë një konflikti fizik për motive pronësie, është dëmtuar me sende të forta shtetasi  L.G., 34 vjeç.

Konflikti është përshkallëzuar më tej ku shtetasi Xh.F, ka plagosur me armë zjarri pistoletë  shtetasin I.G., 41 vjeç  vëllain e 34 vjeçarit, të cilët janë transportuar në spital jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur  menjëherë shërbimet e Policisë  dhe vijon krehja e  zonës  me qëllim kapjen e autorit.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor nën drejtimin e  Prokurorisë  ndodhet në vendngjarje  dhe vijon puna për  sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.